Mandati i OSBE, Bushati-Zannier
'Bashkëpunim më të strukturuar'

Mandati i OSBE, Bushati-Zannier<br />'Bashkëpunim më të strukturuar'
NJU JORK - Marrëdhëniet me prezencën e OSBE-së në vendin tonë do të rishikohen, por ndryshe nga sa u përhap bujshëm në media për një largim të mundshëm ose zbehje të kompetencave të pranisë së organizatës në Shqipëri, rivlerësimi pritet të bëhet për një bashkëpunim më të strukturuar.
 
Në një takim që ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati pati në Nju Jork me sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së Lamberto Zannier, u fol për nevojën e rivlerësimit të prioriteteve të pranisë së OSBE-së në vendin tonë, kjo për të rritur efikasitetin e veprimtarisë së organizatës në Shqipëri. Vendi ynë tashmë ka sfida të tjera me të cilat përballet, ndaj dhe puna e organizatës duhet të adresohet në funksion të tyre.
 
Ky ristrukturim, siç është theksuar në takimin mes Bushatin dhe Zannier do të ndalet në rolin e Pranisë së OSBE-së në Shqipëri në mbështetje të reformave në vend, si pjesë e agjendës integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu Ministri Bushati dhe Zannier diskutuan për zhvillimet më të fundit dhe rolin që mund të luajë organizata në funksion të adresimit të një sërë çështjesh të rëndësishme të sigurisë
 
Letra

Ishte një letër e bërë publike nga Shqiptarja.com më 19 shtator, që Ministria e Jashtme i dërgonte ministrive të tjera, e cila hodhi hijet e dyshimit për një reduktim të mundshëm të prezencës së OSBE-së. Letra për rishikimin e asistencës së OSBE-së në vendin tonë argumentohej me faktin se organizata për siguri dhe bashkëpunim në Europë është e tepërt në një vend tashmë anëtar i NATO-s, i cili pret të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Po ashtu sipas qeverisë zhvillimet pozitive të demokracisë shqiptare, rritja e rolit dhe profilit të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, kanë sjellë një ndryshim rrënjësor të marrëdhënieve të vendit tonë me OSBE-në.
 
Gjithashtu qeveria shqiptare gjykon të domosdoshme rishikimin e asistencës se OSBE në drejtim të ecurisë së reformave në vendin tonë, duke vlerësuar gjithnjë e më shume kapacitetet tona të brendshme për të ecur në rrugën e reformave në vend.

“Zhvillimet pozitive të demokracisë shqiptare, rritja e rolit dhe profilit të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, anëtarësimi në NATO dhe marrja e statusit të vendit kandidat në BE, kanë sjellë një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet tona me OSBE. Shqipëria nuk është vetëm konsumatore e ekspertizës së OSBE, por kontribuon në mënyrë të qenësishme në ruajtjen dhe promovimin e rolit të Organizatës në arkitekturën e sigurisë në Evropë. Parë në këtë këndvështrim, zhvillimet në Shqipëri do të justifikonin ndryshimin e mandatit të pranisë së OSBE në vendin tonë dhe tkurrjen e saj në disa fusha përparësore. Ministria e Punëve të Jashtme, e gjykon të domosdoshme rishikimin e asistencës së OSBE në drejtim të ecurisë së reformave në vendin tonë, duke vlerësuar gjithnjë e më shumë kapacitetet tona të brendshme për të ecur në rrugën e reformave në vend, ”- thuhej në letrën e Sekretarit të Ministrisë sonë të Jashtme.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

EasyPay: Arrihet Licenca e parë për Bankingun e Hapur në Shqipëri dhe Ballkan

EasyPay: Arrihet Licenca e parë për Bankingun e Hapur në Shqipëri dhe Ballkan