Asnjë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri nuk prodhoi takimi mbi 2-orësh mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kur kanë mbetur edhe 3 javë kohë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, Lumir Abdixhiku i kujton qeverisë se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund t’i ketë të tre postet më të larta shtetërore.
“As dështim, as sukses. S’flasim dot për emra konkretë të cilët nuk kanë rezultuar me marrëveshje. Një shumicë prej 84-85 deputetësh të pranishëm në sallë do të na bënin komodë. Numri 80-81 nuk është caku ynë për të ecur para”, tha Kurti.
“Zhvilluam takimin e radhës dhe diskutuam për afatin kohor. Na kanë mbetur më pak se dy javë për të arritur një marrëveshje. Po përpiqemi që përmes takimeve të gjejmë zgjidhje. Nuk ka ndonjë rrethanë të re; takimet do të vazhdojnë. Unë do të takohem edhe me liderë të tjerë, përmes takimeve transparente dhe konfidenciale, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje. Nuk janë diskutuar emra konkretë. Fillimisht duhet të merremi me parimet. Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje ose zgjedhjet janë të pashmangshme”, u shpreh Abdixhiku.
Kryeministri Albin Kurti tha se i ka çuar një ftesë edhe Bedri Hamzës së PDK-së, i cili sipas tij deri më tani nuk ka propozuar ndonjë emër kandidati dhe pa e bërë këtë, nuk mund të flitet për marrëveshje.
“Do të përpiqem të takohem me kreun e PDK, Bedri Hamza, sepse presidenti është shprehje e unitetit të popullit. PDK s’ka nxjerrë kurrë asnjë emër para nesh, po ka kërkuar t’i besojmë në mënyrë të verbër. Urojmë që kjo qasje të ndryshojë. S’mund të ketë marrëveshje politike për sa kohë nuk thua asnjë emër”, tha Kurti.
Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota.
Më 5 mars, LVV-ja propozoi dy emra për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun. Në mungesë kuorumi, procesi mbeti në gjysmë. Të nesërmen, ish-presidentja Osmani shpërndau parlamentin me dekret për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, dekret që Kushtetuesja e anuloi.
Çfarë ndodhi në javët e fundit?
Qeveria e Kosovës është formuar më 11 shkurt. Ditë më vonë, Kurti i ka nisur diskutimet me krerët e partive kryesore opozitare për çështjen e presidentit, mirëpo palët nuk janë pajtuar për asnjë emër.
Më 5 mars, LVV-ja i ka propozuar dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuoromi, procesi ka mbetur në gjysmë.
Të nesërmen, ish-presidentja Osmani e ka prezantuar një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
LVV-ja e çoi dekretin e Osmanit në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar jokushtetues.
Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.
Vetë Kurti dhe partia e tij kanë thënë disa herë në ditët e fundit që zgjedhjet e reja duhet shmangur dhe e kanë përmendur nevojën e bashkëpunimit, mirëpo përparim konkret nuk është parë.
Komente









