TIRANE - Teksa pedofili vrasës, Ardian Prenjasi rrëmbente e abuzonte me të miturit nën hundën e drejtësisë shqiptare, kryeministri Berisha shprehet optimist dhe deklaron se zbulimi i vrasjeve dhe dënimi i tyre është në shkallët më të larta që mund të ekzistojnë.

Kështu është shprehur shefi i mazhorancës në reagimin e parë publik në lidhje me pedofilin vrasës, Ardian Prenjasi, i cili pasi u arrestua për rrëmbimin e një të mituri, dha dëshmi rënqethëse të një krimi makabër, atë të vrasjes së 11-vjeçarit Julian Çela, djalit të nëndrejtorit të Antiterrorit në SHISH, Skëndër Cela, i cili rezultonte i zhdukur prej 30 nëntorit të vitit të kaluar.

“Shkalla e zbulimit të vrasjeve dhe shkalla e vendosjes para ligjit dhe dënimit të tyre është nga më e larta që mund të ekzistojë. Vende që e kanë traditën e funksionimit ligjor shumë më të madh se Shqipëria, e kanë numrin e vetëvrasjeve sa dy herë Shqipëria,” -tha Berisha.

BERISHA: KEMI DENIM TE PERJETSHEM, "ME VDEKJE" NA DENON EVROPA

Në një takim me të rinjtë pasditen e sotme në kryeqytet, teksa e cilësoi këtë ngjarje tmerrësisht tronditëse, tha se “kemi hequr dënimin me vdekje sepse jetojmë në një hapësirë evropiane”, por kemi dënimin me burg të përjetshëm.

“Kam marrë qindra mesazhe në celular dhe në Facebook, që kërkojnë dënimin me vdekje. Unë kam mirëkuptim për të gjithë ata, sepse ngjarja është tmerrësisht tronditëse, por nga ana tjetër ne jetojmë në një hapësirë evropiane, e cila me vendosmërinë më absolute e ka hequr dënimin me vdekje. Kjo është bërë në respekt të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Shqipëria është vend anëtar i Këshillit të Europës dhe për çdo hap prapa që mund të bëjë, Shqipëria merr përsipër dënimin e saj,”u shpreh shefi i qeverisë.

MANIAKU VRASES I FALUR NGA DREJTESIA SHQIPTARE, IA HODHI ME NJE GJOBE

Profili i Ardian Prenjasit, që të kujton skenarë filmash thriller, ka një historik të ngjeshur abuzimesh me të mitur e megjithatë nuk është dënuar kurrë me burg.

Një fakt tronditës është zbuluar në arshivat e policisë së Librazhdit, që daton në vitin 2004, kohë kur Ardian Prenjasi nga fshati Përrenjas i Librazhdit, ka rrëmbyer edhe dy fëmijë, me të cilët ka abuzuar. Vetë i vëllai pohoi se rrëmbimi i një fëmije në lagje, ka qenë shkaku pse Ardiani është përzënë nga shtëpia, duke e ndarë për së gjalli nga çdo lloj gëzimi familjar apo fatkeqësi.

Më pas në 2008 është vendosur në Tiranë në shtëpi me qira, pikërisht në Laprakë. Kështu pedofili rezulton të ketë pasur disa precedentë abuzimi me të miturit, por duket se nuk është marrë seriozisht nga organet hetimore dhe ato të drejtësisë.

Autoritetet greke për një rast të vetëm të denoncuar e kanë dënuar me 4 vjet burg, ndërsa në Shqipëri edhe pse të paktën sipas dokumenteve zyrtare rezultojnë 2 raste të abuzimit me të mitur para rrëmbimit të 10-vjeçarit A.C, drejtësia jonë nuk e ka dënuar në asnjë rast me burg.

Në vendimin e Gjykatës së Tiranës dhënë më 14 tetor të 2008 thuhet tekstualisht se i akuzuari ka shfaqur pendesë të thellë dhe merret në konsideratë fakti se nuk është dënuar më parë. Madje sipas vendimit të gjyqtares, Ardiani, nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore. Në këto kushte gjyqtarja Shefkie Demiraj vendosi dënimin me 60 mijë lekë gjobë për Ardian Prenjasin. Dhe pasi pagoi paratë, ai lau duart me drejtësinë.

Neglizhenca e gjithë këtyre precedentëve, bëri më pas që ai të rrëmbente dhe vriste Julian Çelën e zhdukur që më 30 nëntor të vitit 2012 dhe të rrëmbente dy ditë më parë të miturin A.Cani.
Pikërisht ky rast çoi në zbulimin e vrasjes së djalit të ish-drejtorit të Antiterrorit në SHIK, ndërsa trupi i tij ende nuk është gjetur.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)