Manjani: Do të zbatojmë rekomandimet e progres-raportit, reforma në drejtësi kryefjalë

/ATSH-Arbi Fortuzi/.- Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ritheksoi të martën rëndësinë e reformës në drejtësi në kuadër të plotësimit të pesë rekomandimeve të caktuara në progres-raportin e Bashkimit Europian, si dhe garantoi plotësimin e këtyre rekomandimeve.
Në një deklaratë për mediat, ministri Manjani u shpreh se rekomandimet e dhëna në progres- raportin e BE-së do të jenë udhërrëfyesi i punës së dikasterit që ai mbulon. "Ne e kemi thënë dhe përsëritim, se integrimi në Bashkimin Europian kalon përmes një drejtësie të transparente, e cila është e barabartë për të gjithë", theksoi Manjani.
Ministri i Drejtësisë nënvizoi vullnetin e qeverisë për të avancuar me reformën në drejtësi dhe prioritetet e vendosura në progres-raportin e KE-së, për çeljen e negociatave. "Është një kënaqësi të filloj detyrën me një event të rëndësishëm që është progres-raporti. Një raport realist, nga më realistët, që i ka ardhur ndonjëherë qeverisë shqiptare. Një raport që na vë para sfidave të mëdha. Lufta ndaj korrupsionit, transparenca..etj. Të gjitha rekomandimet e këtij raporti do të jenë bibla e punës sime. Kjo është gjëja e vetme për t'u kuptuar sepse plotësimi i këtyre rekomandimeve do të bëjë të mundur që të marrim ftesën për të çelur negociatat për anëtarësim në pranverë", tha Manjani.
Kreu i drejtësisë në vendin tonë, tha se nuk do të ketë më fjalë boshe, por punë, e cila është përcaktuar qartë nga progres-raporti dhe në veçanti reformën në drejtësi, që është dhe kryetemë e këtij raporti. "Kjo reformë udhëhiqet nga parlamenti, ku edhe ministri i drejtësisë është kontribues. Dua të konfirmoj edhe njëherë si ministër i Drejtësisë, si zyrtar që është i mandatuar për të kryer shërbime ligjore, se kemi një sërë aktivitetesh e masash. Duam një reformë në drejtësi të qëndrueshme, që ofron transparencë dhe barazi përpara ligjit", u shpreh Manjani.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Pamje/ Festivali i Dritave ndez skenën në Shirokë! Aty ku bashkohen muzika me traditën dhe bukurinë e liqenit