Manjani dush të ftohtë gjyqtarëve në
Durrës:Probleme me krimin e pronat

Manjani dush të ftohtë gjyqtarëve në<br />Durrës:Probleme me krimin e pronat
TIRANË - Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka lëshuar akuza të forta ndaj sistemit gjyqësor. Gjatë një takimi të organizuar nga OSBE në Durrës, Manjani u shpreh se gjykatat kanë ikur në drejtim të paditur. Ai theksoi se problem shqetësues mbetet mungesa e ndëshkueshmërisë së krimit dhe grabitja e pronës me bekimin e gjyqësorit, që sipas ministrit për këto raste nuk do të ketë asnjë tolerim për gjyqtarët abuzues.
 
Aktiviteti i OSBE: Dënimet alternative
Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, nisi dje një cikël prej gjashtë veprimtarish ndërgjegjësuese për dënimet alternative ndaj burgimit. Në takimin e parë, që u zhvillua dje në Durrës, ishin të pranishëm Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, Prokurori i Përgjithshëm,  Adriatik Llalla, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa, si edhe kryetarë gjykatash, gjyqtarë e prokurorë nga rrethi gjyqësor Durrës, Kavajë dhe Elbasan dhe nga Gjykata e Apelit Durrës.

"Futja në burg e shkelësve të ligjit nuk është e vetmja zgjidhje që i bën njerëzit të ndihen të sigurt. Aty ku është e përshtatshme, vënia në provë është më efikase se sa burgimi, pasi ajo ndërthur llogaridhënien me rehabilitimin me qëllim riintegrimin e suksesshëm në shoqëri të të dënuarve. Në fakt, heqja e lirisë duhet të jetë alternativa e fundit", tha Raunig. Ai shtoi se vëmendje, në këtë kuadër, i duhet kushtuar edhe mbikëqyrjes elektronike. Numri i personave të dënuar me dënime alternative ka ardhur vazhdimisht në rritje, nga 705 në vitin 2009 në rreth 19,300 në vitin 2015. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e ka mbështetur për vite me radhë Ministrinë e Drejtësisë në ngritjen e Shërbimit të Provës, duke kontribuar për ta bërë këtë shërbim efikas.
 
Manjani me tone të larta
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani fillimisht ka falenderuar prezencën e OSBE-së në Shqipëri për ndihmën që i jep sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Më pas ai është treguar mjaft i ashpër me gjyqtarët për punën e bërë prej tyre sidomos në gjyqet që kanë lidhje me pronat. “Janë mijëra metra katrorë tokë publike, e grabitur në të gjithë bregdetin shqiptar, e vërtetuar me të gjitha dokumentat e nevojshme, e grabitur me falsifikime të bëra në vite nga Komisionet e Kthimit të Pronave dhe gjykatat heshtin në rastin më të mirë, ose legalizojnë në rastin më të keq.

Kjo është situatë e papranueshme dhe ne të gjithë, në mënyrë të veçantë, gjykatat e bregut duke filluar nga Vlora deri në Shkodër janë totalisht në një jurisprudencë të tyren, s'kanë lidhje fare me jurisprudencën e shtetit. Jam këtu për të respektuar pavarësinë e çdo vendimi gjykate pa as më të voglin diskutim. Respekt për çdo gjykatës që vendos në mënyrë të pavarur dhe të ligjshme. Por asnjë tolerancë nuk kam ndërmend të lejoj për aq sa më takon mua për cilëndo gjykatë apo gjykatës që del në drejtim të paditur.

Grabitja e pronës publike me dokumenta të falsifikuara qofshin këto me vendime gjykate quhen falsifikim në jetë të jetëve dhe nëse prokuroria dhe gjykata në raste të caktuara e konfirmojnë falsifikimin dhe nuk përcaktohet statusi i pronës që është grabitur, brenda gjykimit penal apo qoftë në gjykim më vete kjo është një histori e cila nuk tregon shtet por tregon maskarallëk. Kjo tregon që gjykata bëhet pjesë e një krimi vazhdues pavarësisht se falsifikimi është i provuar”, theksoi Manjani.

Më tej ministri u përqëndrua edhe tek pasuria e gjyqtarëve ku u ka bërë thirrje që të deklarojnë të ardhurat, ndërkohë që u shpreh se ka humbur besimi i qytetarëve tek sistemi i drejtësisë. “Nuk ka shtet pa gjykatë” vijoi më tej ministri. Duke kritikuar edhe punën e gjykatës Administrative, që sipas Manjanit ka dal nga objekti i punës së saj dhe po merret me vlerësimin e  performancës së nëpunësve.

Në fund ministri Manjani lëshoi edhe një paralajmërim për gjykatësit e prokurorët. “Ju lutem shumë merrni komandën e situatës, drejtoni proceset gjyqësore, gjykoni shpejt. Masat e jashtëzakonshme funksionojnë në gjëra të jashtëzakonshme dhe situata e jashtëzakonshme ka ardhur për shkak të sjelljes së gabuar. Këtë duhet ta pranojmë. Filloni të kuptoni që secili tashmë e ka kokën mbi shpatullat e veta. Askush nuk ju merr më në mbrojtje, askush. Juve jeni zyrtarë që monitoroheni në jetë të jetëve. Jeni zyrtarë që Prodhoni dokumente me firmë dhe me vulë dhe jeni të verifikueshëm”, ka nënvizuar ministri i Drejtësisë.
 
Fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ 'Bad Spin 3', kontrolle në disa subjekte, arrestohen 4 persona pasi luanin baste sportive online

Tiranë/ 'Bad Spin 3', kontrolle në disa subjekte, arrestohen 4 persona pasi luanin baste sportive online