TIRANË - "Është turp, që kryeministri aktual festoi 22-vjetorin në Hotel Tirana International dhe jo në Valias. Ndërkohë që doktori feston, Valiasi është zhytur në skamje. Në të tilla raste faktet flasin vetë. Nuk ka nevojë për shumë komente, aq më tepër, kur këto bëhen për politikë. Mirënjohja është një virtyt njerëzor dhe mosmirënjohja duhet ndëshkuar", ka nisur komentet e tij nënkryetari i LSI-së në Valias, 22 vjet nga greva e përgjithshme e sindikatave, grevë që kontribuoi edhe në rënien e komunizmit në Shqipëri. 

Manjani ka shtuar se "sot pas 22 vjetësh, kryeministri nuk ka bërë asgjë për Valiasin, që është qendra që e ka sjellë në pushtet. Unë nuk e di se me çfarë kurajoje kryeministri feston sot në emrin tuaj, me kontributin tuaj, me djersën tuaj dhe me mundin tuaj".

MANJANI: PISHTARËT E DEMOKRACISË, MEDALJE TË PAPUNËSISË

Manjani ka theksuar se kryeministri i vendit ka ardhur në pushtet për shkak të kontributit të minatorëve të Valiasit, por minatorët mbajnë në dorë një medalje, që në fakt ajo është medalja e papunësisë. "Kjo medalje që është “Pishtar i Demokracisë” nuk mund të katandiset sot në medaljen e varfërisë. Sot kjo medalje është medalja e varfërisë dhe kjo është e patolerueshme, kjo është e pafalshme. Këtu po kërkohet punë, po kërkohet mirëqenie, po kërkohet ujë, po kërkohen mundësitë minimale për të pasur një jetesë normale ashtu siç i takon çdo minatori që punon në perëndim apo Evropë”, tha nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani.

Sipas Manjanit ka ardhur dita e ndëshkimit. “Prandaj është dita e gjykimit politik sepse ne duhet të ecim me një ritëm tjetër. Me një ritëm krejtësisht tjetër, që nuk ka lidhje me këtë të sotmin”, premtoi Manjani.

MAJ 1991, GREVA E MINATORËVE TË VALIASIT

Më 16 Maj 1991 u shpall greva e përgjithshme, që nga përmasat ishte greva e parë më e madhe në historinë e popullit tonë, si edhe nga më të rrallat në botë me këtë shtrirje dhe kohëzgjatje . Nga kjo grevë iu drejtuan qeverisë 17 kërkesa. Këto kërkesa iu drejtuan për dijeni edhe Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kjo grevë ishte një kontribut i shquar për ardhjen e demokracisë duke i dhënë një goditje të rëndë regjimit komunist.

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)