Manjani: Ne paguajmë kuotat e
partisë, Berisha fatura prostitutash
Koka: Berisha paguante kuotë në PP
e

Manjani: Ne paguajmë kuotat e<br />partisë, Berisha fatura prostitutash<br />Koka: Berisha paguante kuotë në PP<br />e
TIRANË - Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ylli Manjani i dha përgjigje akuzave të ish-kryeministrit Berisha se ministra të LSI-së kanë përdorur thesarin e Shtetit. Në një deklaratë për mediat nga selia e LSI-së e cila ishte planifikuar për urimin me nisjen e vitit të ri shkollor, Manjani ju përgjigj interesit të medias për akuzat e Berishës, ku tha se bëhet fjalë për pagesat e kuatave të partisë që bën çdo anëtar i LSI-së përmes pagave të tyre.
 
“Ka një dallim të madh ndërmjet Berishës sot dhe atë 17 vite më parë. Sot 17 vite më parë Berisha kish marrë kryeministrinë dhe i drejtohej televizionit tuaj si pjesë e një grushti shteti. Sot Berisha është një pla gati për pension, Berisha është një njeri me nge ka kohë dhe ne nuk kemi nge të merremi me Berishën pafundësisht. Ne kemi një shqetësim të përbashkët, si ne dhe Berisha, shqetësimi për të shlyer detyrimet periodike, nuk na zë gjumi pa i shlyer. Problemi është se ne paguajmë kuotat e partisë, ai paguan faturat e prostitutave e ka thënë vetë. Ne i paguajmë në mënyrë transparente, pagesa në thesar është më transparentja e mundshme. Nga paga e zyrtarit politik me lejen e tij thesari bën ndalesën përkatëse sipas urdhrit që i jep ministri, zv.ministri. Gjithkush është i lirë që nga paga e tij të paguajë kuotën. Nga paga e ministrit me dëshirën e tij ashtu si 20 deputetë të LSI kanë urdhëruar që nga paga t’ju mbahet një shumë për partinë në formë kontributi. Është zgjedh mënyra me thesar për të qenë më transparente”, - u shpreh Manjani.

I pyetur për dekriminalizimin, Manjani tha se ky proces i nevojshëm  duhet bërë sipas një kornize ligjore.
 
“Qëndrimi ynë është i tillë, konstant dhe i pandryshueshëm, po duhet bërë dekriminalizimi, por sipas një kornize ligjore. Parlamenti nëpërmjet komisionit të posaçëm duke u ushqyer me vullnet politik duhet të hartojë një legjislacion të konsultuar me ndërkombëtarët, e theksoj gjithçka duhet të jetë ligjore”, - përfundoi Manjani.

Berisha shkruante një ditë më parë se Kuvendi i Shqipërisë dhe Ministria e Mjedisit përdorin Thesarin e Shtetit për të financuar LSI­në dhe kanë kaluar pagesat në llogari të Lëvizjes Socialiste për Integrim. 

Konferenca e plote per mediat e Ylli Manjanit
Jam sot në këtë komunikim me ju në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim për t’u uruar fillimin e vitit shkollor të gjithë nxënësve në radhë të parë, rreth 500 mijë të tillë. Është një ditë e shënuar, sepse është kontributi më i madh që brezi i ri bën në përpjekjet e tij për të nxënë dhe për të luftuar injorancën.

Sigurisht është një ditë e shënuar për 30 mijë nxënës që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, ashtu siç është edhe një ditë e veçantë për rreth 38 mijë mësues në të gjithë vendin që kanë betejën e tyre për të formuar brezin e ri dhe sigurisht për t’i dhënë kontribut kombit shqiptar në luftën kundër injorancës. Rruga e vetme për të luftuar injorancën është shkolla. Kështu që kjo është një ditë e shënuar për të gjithë ne, për fëmijët tanë, për familjet shqiptare, për të gjithë shqiptarët anembanë, sepse në evente të tilla sigurisht që kërkohet shumë vëmendje, kërkohet shumë energji, kërkohet sigurisht edhe më shumë solidaritet.

Ne jemi të bindur që reformat në sistemin arsimor të bëra në vite, por dhe së fundmi, do të japin suksesin e tyre që këtë vit. Kanë filluar madje, kam parasysh këtu faktin që një pjesë e mirë e të rinjve dhe të reja kanë zgjedhur që të formësohen dhe të nxënë më shumë në drejtim të arsimit profesional. Një zgjedhje simpatike të cilët kanë mbështetjen e plotë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Është përgjigja më e mirë për të gjitha sfidat që ka ky vend të zhvillimit ekonomik, por jo vetëm. Është edhe përgjigja më e mirë për të gjithë këtë debatin që ne kemi çelur apo që ekziston në raport me azilkërkimin apo me të drejtën për të jetuar diku tjetër, sepse si profesionist mund të jetosh kudo. Në këtë moment është një përpjekje shumë interesante që të rinjtë shqiptarë kanë zgjedhur të bëhen profesionistë, të zgjedhin profesione të ndryshme për të kontribuar në ekonominë kombëtare së pari, por sigurisht edhe në ekonominë e tyre vetjake brenda vendit apo jashtë Shqipërisë dhe kjo është një zgjedhje për t’u përshëndetur.

Sigurisht që jemi koshientë që jo gjithçka shkon ashtu siç duhet. Ka edhe vështirësi. Sidomos vështirësitë e ditëve të para janë prezente. Kanë qenë gjithmonë, por edhe këtë vit janë, veçanërisht vështirësi infrastrukturore apo për pajisje me bazën materiale nëpër shkolla për të cilat Lëvizja Socialiste për Integrim nxit në mënyrë të menjëhershme qeverinë shqiptare, Ministrinë e Arsimit që t’i përmbyllin sa më shpejt të jetë e mundur të gjitha vështirësitë që janë vënë re në këtë fillim viti, në këtë ditë të parë. Sot është vetëm dita e parë dhe në ditët në vijim çdo gjë do të stabilizohet edhe aty ku ka patur probleme. Kështu që nga kjo pikëpamje, sot është një ditë e veçantë, është një ditë që ia vlen të përshëndesim njëri-tjetrin dhe ia vlen të fillojmë një kontribut të ri, të përvitshëm sigurisht, por me energji të reja për të luftuar injorancën. Beteja për nxënien dhe për të luftuar injorancën është një betejë e përhershme dhe në këtë rast Lëvizja Socialiste për Integrim është totalisht e pozicionuar në mbështetje në radhë të parë të qeverisë, por dhe të gjithë atyre forcave politike dhe jo vetëm që luftojnë injorancën në nivel kombëtar.
 
Pyetje nga gazetarët
 
Z. Manjani a keni një koment për akuzat që ka drejtuar z. Berisha ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim sipas të cilit LSI-ja ka përfituar fonde nga Thesari i Shtetit përmes ministrave të LSI-së në qeverisje të cilët kanë keqpërdorur pushtetin tyre?
Ka një dallim të madh, më lejoni ta them këtë, ndërmjet Berishës së 17 vjetëve dhe Berishës së sotëm. Sot 17 vite më parë Berisha kishte marrë kryeministri në këtë orë dhe po i drejtohej televizionit ku ju punoni (TVSH-së) sot si pjesë e një grushti shteti. Ndërsa sot, si një plak i lodhur në pension sigurisht ka kohë të shkruajë edhe në Facebook. Berisha është një njeri me nge, ka kohë dhe ne nuk kemi kohë të merremi me Berishën pafundësisht. Ky është reagimi i im i parë për këtë çështje. Megjithatë, një përgjigje për respekt të pyetjes suaj mund ta jap. Sigurisht që ne kemi një shqetësim të përbashkët, si ne dhe Berisha njësoj. Kemi një shqetësim që e ndajmë me njëri-tjetrin dhe ky është shqetësimi për të shlyer detyrimet periodike. Nuk na zë gjumi me thënë të drejtën po nuk shlyem detyrimet periodike. Por dallimi është që ne paguajmë kuotat e partisë, kurse doktori paguan faturat e prostitutave e ka thënë vet. Ky është një dallim shumë i madh.

Nga kjo pikëpamje ne nuk kemi ndonjë xhelozi. Doktori është i lirë të paguajë faturat e kujtdo, por kuotat e partisë ne i paguajmë. Dallimi tjetër është që ne i paguajmë kuotat në mënyrë transparente. Pagesa në Thesar është pagesa më transparente e mundshme ku çdo shtetas mund të verifikojë në çdo çast se çfarë bën Thesari. Që do të thotë nga paga e zyrtarit politik me lejen e zyrtarit politik, pra me deklaratë të zyrtarit politik, Thesari bën ndalesën përkatëse sipas urdhrit që jep pronari i pagës. Pra nga paga e deputetit, e ministrit apo e zv. ministrit gjithkush është i lirë me pagën e tij që të paguajë kuotën ashtu siç është i lirë doktori të paguajë faturën e prostitutave. Është një budallallëk që nuk merremi dot pafundësisht. Është zgjedhur mënyra me thesar për të qenë më transparente sepse po të ishte thjesht me rrugë bankare, sigurisht llogaritë bankare janë evente private dhe nuk bëhen publike, kurse Thesari është publik. Ne s’kemi asgjë për të fshehur, përkundrazi nxisim të gjithë zyrtarët politik që t’i paguajnë kuotat e anëtarësisë përmes thesarit. Është një veprim shumë simpatik, është një veprim krejtësisht transparent dhe krejt i hapur. Pse ka frikë doktori nga transparenca unë nuk e di, ndoshta që s’ka parti ku të paguajë kuotat, por është problemi i tij. Kështu që ne në këtë pikëpamje nuk kemi asgjë, as për të fshehur dhe as për të anuluar apo as për ta tjerrur më tej këtë histori. Është pagesë transparence nga paga e çdo zyrtari politik për partinë ku ai militon.

Z. Manjani kanë dalë në dritë disa e-mail-e që janë drejtuar nga koordinatorët e PS-së nëpër qarqe dhe rrethe për të verifikuar të gjithë të punësuarit. Cila parti i ka punësuar në administratë...
Mbase duhet ta bëni këtë pyetje te Partia Socialiste. Të punësuarit në administratë punësohen në bazë të ligjit për shërbimin civil, ky është ligji i vetëm, dokumenti mbi bazën e të cilit punësohet administrata. Sigurisht ka edhe punësim të përkohshme me kontratën e punës prapë me një ligj tjetër dhe nuk janë partitë që punësojnë njerëzit.

Mos vallë këto e-maili shprehin një xhelozi brenda koalicionit dhe pyetja e dytë, për dekriminalzimin, LSI-ja çfarë qëndrimi ka?
Pak a shumë pyetjes së parë i dhashë një përgjigje, është diçka që nuk ekziston tek ne. Ajo që doni të doni të dini ju, bëni mirë që të pyesni ato që i kanë bërë këto e-maile, kush është qëllimi. Unë nuk e di të ketë një e-mail të kësaj natyre, por sidoqoftë edhe sikur të ketë, nuk kemi gjë për të thënë.
E dyta, për çështjen e dekriminalizimit, qëndrimi ynë ka qenë dhe do të mbetet i tillë konstant dhe krejtësisht i padiskutueshëm, që “po”, duhet bërë ajo që quhet dekriminalizim i Parlamentit. Duhet bërë sipas një kornize ligjore dhe jo dekriminalizim politik, sepse deri më sot kemi dëgjuar vetëm dekriminalizim politik, asgjë ligjore, asgjë të ligjshme. Dhe kjo çon në konkluzionin e tretë, që Parlamenti nëpërmjet komisionit të posaçëm që është ngritur për këtë punë, duke u ushqyer me vullnetin politik të gjithë partive parlamentare duhet një orë e më parë të hartojë një legjislacion të bazuar mbi parimet themelore kushtetuese dhe jo vetëm e të konsultuar sigurisht me partnerët ndërkombëtarë, pa të cilët ne nuk mund ta bëjmë dot këtë proces.

E theksoj, çdo gjë duhet të jetë ligjore, pjesa tjetër janë komente politike. Nuk mendoj se çështjet e dekriminalizimit do të zgjidhen në rrugë ligjore, nëse partitë nuk duan apo kanë vullnete të mbrapshta për të ndërtuar skena apo anti-skena, kjo është një histori që nuk e zgjidhim dot sado të mirë ta kemi ligjin. Unë jam këtu për t’ju thënë që në emër të LSI-së garantojmë që “po”, jemi në mbështetje të këtij procesi. Së dyti, e gjithë vendimmarrja politike e LSI-së, siç ka qenë deri më sot e hapur do të vazhdojë të jetë e hapur, transparente dhe e konsultuar me njerëzit.

Z. Manjani, duke iu rikthyer çështjes së kalimit të fondeve nga Ministria e Mjedisit drejt Thesarit të Shtetit. Në tabelën e publikuar në zërin përkatës nuk ishte emri i ministri përkatës, por ishte ministria. Pra linin dyshime që kanë qenë fonde të ministrisë, pra nga buxheti i shtetit që i kanë kaluar LSI-së?
Tani kjo është edhe trashë, konstatimi nuk mund të jetë kaq budallallëk. Ndoshta ka ndodhur ndonjëherë në kohën e Saliut kjo punë, por nuk është ky diskutimi. E theksoj edhe një herë nga paga e Ministrit, i cili është edhe anëtar i Kryesisë së LSI-së me dëshirën e tij, ashtu siç janë 20 deputetët e LSI-së në Parlament, me dëshirën e tyre kanë urdhëruar nëpunësin e financës që nga paga të mbahet një shumë e caktuar si kontribut për partinë. Dhe është zyra e financës që nëpërmjet Thesarit ekzekuton këtë pagesë për llogari të LSI-së, kaq. Më transparente se kaq nuk mund të bëhet.

Ka edhe një mënyrë tjetër, që është mënyra me llogari private. Pra, Thesari kalon pagën në llogarinë time dhe unë urdhërojë bankën që të bëj një pagesë, siç paguaj faturën e ujit apo të dritave, paguaj edhe kuotat e partisë, por ky është krejtësisht privat dhe nuk e verifikon dot kush. Ashtu siç është edhe mënyra tjetër e pagesës kesh që mesa duket partitë tradicionale janë mësuar që kur vijnë fushatat mbushin xhepat dhe i shpenzojnë dhe nuk sheh kush çfarë bëhet dhe si bëhet. Ne kemi zgjedhur ndër të tjera për të shtuar transparencën rrugën e Thesarin. Në Thesar nuk lëviz gjë, nuk janë gjërat kaq vulnerabël. Thesari është një llogari ekzekutive e shtetit krejtësisht e verifikueshme, krejtësisht e monitorueshme 24 orë në 24, kushdo mund ta aksesojë. Nëse gjendet një lek ekstra mbi atë që ka deklaruar zyrtari i partisë, por që kryen edhe funksione ekzekutive, për t’ia kaluar partisë, kjo është diskutim tjetër pastaj, por nuk besoj se do të gjeni sepse nuk ka. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Artisti italian krijon portret gjigand të Kamala Harris në tokë

Artisti italian krijon portret gjigand të Kamala Harris në tokë