Maqedoni e Veriut - Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski priti sot në aeroportin e Shkupit, Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rute i cili ndodhet për vizitë zyrtare.
“Është nder për mua të mirëpres Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute. Në kohë sfidash serioze të sigurisë është me rëndësi të veçantë që të kontribuojmë së bashku për sigurinë, paqen dhe stabilitetin”, shkroi në Facebook, Misajllovski.
Sekretari i përgjithshëm do të pritet me nderime më të larta shtetërore dhe ushtarake në ceremoni në Kabinetin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, dhe më pas do të vijojnë takimet dhe mbledhja plenare e delegacionit të Maqedonisë dhe atij të NATO-s. Më tej pritet një konferencë e përbashkët për shtyp e presidentes Siljanovska-Davkova dhe Rutes.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s do të ketë takim edhe me kryeministrin Hristijan Mickoski, si dhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi. Rute do të mbajë edhe një fjalim para deputetëve në Dhomën ligjvënëse.
Më tej Rute do të vizitojë edhe kazermën “Ilinden”, ku do të marrë pjesë në prezantimin e grupit të lehtë këmbësorik të Batalionit të Armatës dhe një pjese të pajisjes së kësaj njësie.
Të pranishëm do të jenë ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral-majori Sashko Lafçiski, gjeneralë të Armatës dhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes.
Kjo është vizita e parë e Ruttes si sekretar i përgjithshëm i NATO-s në Shkup. Hera e fundit që Rute vizitoi Maqedoninë ka qenë në nëntor të vitit 2021 si kryeministër i atëhershëm i Holandës.
Komente









