MAQEDONI- Është sekuestruar ditën e sotme sasia më e madhe e drogës në Maqedoni, rreth 513 kilogramë marijuanë që vinte nga Shqipëria.

Në operacionin e koduar “Ambush” janë sekuestruar 513 kg marijuanë e cilësisë së lartë, e njohur edhe me emrin “Skank”.

Policia informon se sasia e drogës vinte nga Shqipëria dhe nëpërmjet Maqedonisë do të transportohej më pas në vendet Perëndimore të Bashkimit Europian. Sasia e drogës është gjetur në një kamion tip Man me targa Shkupi, që kishte edhe një ngarkesë prej 25 tonë çimento.

Kamioni drejtohej nga një 50-vjeçar nga Shkupi me iniciale S.D. Sasia e drogës me shumë mundësi është ngarkuar së bashku me çimenton në ndonjë fabrikë çimentoje në Elbasan.

Marijuana ishte e fshehur në një tip bunkeri të ndërtuar pikërisht për të fshehur sasinë e drogës përgjatë rimorkios. Droga ishte e ambalazhuar në 511 paketa nga afërsisht 1 kilogram secila.

Shoferi i kamionit ka konfirmuar në polici se nuk dinte asgjë për sasinë e drogës që ndodhej në makinë. Shoferi 50-vjeçar ka konfirmuar se kamionin ua ka lënë disa personave për të ngarkuar çimenton dhe se për drogën nuk kishte asnjë lloj informacioni.

Sipas vlerësimeve të para mendohet se nga shitja e kësaj sasie marijuane e cilësisë së lartë do të përfitohej një shumë prej 3 milionë eurosh.

“Skank” është një lloj kanabisi e njohur me këtë emër që në vitet ‘80 dhe ka një efekt të lartë cerebral dhe është nga më të përhapurat në Botë për momentin dhe mban shumë erë.

(eç/shqiptarja.com)