Të paktën katër policë u plagosën, tre prej të cilëve në gjendje të rëndë pas incidenteve të ditës së sotme me një grup të armatosur në veri të Maqedonisë, një rajon që ka qenë që prej vitit 2001 skenë e një konflikti mes autoriteteve maqedonase dhe luftëtarëve shqiptarë.
Shkëmbimet e zjarrit ndodhën në periferi të qytetit të Kumanovës, rreth 40 kilometra në veri të Shkupit, theksuan burime policore.
Të shtëna të shumta kanë tmerruar për rreth dy orë banorët e Kumanovës, në Maqedoni. Krismat me armë zjarri dhe helikopterët që kanë fluturuar mbi qytet kanë krijuar një atmosferë lufte.
Sipas një fotografi të AFP-së në vend, policia, e armatosur rëndë, ka rrethuar një lagje të qytetit të populluar me shumicë shqiptare.
Automjetet e policisë në të gjithë terrenin dhe blindat ruajnë kryqëzimet ndërsa policët të veshur me jelekë antiplumb, patrullojnë në rrugë. Helikopterët fluturojnë në lagje.
"Operacioni nisi në orën lokale 04:30 pasi policia u informua për lëvizjen e një grupi të armatosur në rajon", theksoi një zëdhënës i policisë, Ivo Kotevski.
"Në orët e para të pasdites mund të dëgjohen shkëmbime sporadike zjarri. Ndërkohë, banorë shqiptarë në Lagjen e Trimave kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë filluar të zhvendosen në lagje të tjera", theksoi një fotograf.
Në vitin 2001, marrëveshjet e Ohrit, i dhanë fund konfliktit gjashtë mujor mes forcave të qeverisë maqedonase dhe rebelëve shqiptarë./
/atsh/