Maqedoni, Mogherini: Ivanov t'i
japë mandatin qeverisë së re

Maqedoni, Mogherini: Ivanov t'i<br />japë mandatin qeverisë së re
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian Federica Mogherini ka ndalur këtë të enjte në Maqedoni ku është takuar me përfaqësues të partive politike për të diskutuar për situatën në të cilën ndodhet së fundmi Maqedonia, duke patur parasysh edhe refuzimin që presidenti Ivanov i bëri kreut të LSDM për të formuar qeverinë.
 
Mogherini kërkoi që Ivanov deri të hënën të japë mandatin për formimin e qeverisë së re.
 
“Presidenti Ivanov të reflektojë mbi vendimin që mori dhe të japë mandatin për formimin e qeverisë së re shumicës parlamentare ashtu siç e parashikon kushtetuta e vendit. Partitë të mbahen nga çfarëdo retorike nxitëse që mund të çojë vendin në një konflikt ndëretnik dhe politik. Aktorët politik duhet të kenë parasysh që Maqedonia është shtet multietnik dhe të drejtat e të gjithëve duhet të respektohen. Politikanët duhet të vazhdojnë negociatat për formimin e qeverisë sa më shpejt. Situata është e komplikuar, prandaj të dilet nga kjo situate, jo për Bashkimin Evropian por për Maqedoninë. Maqedonia është një vend i komplikuar në një rajon te komplikuar, prandaj shpresoj të bëhet maksimumi për të dalë sa më parë nga kjo krizë”, u shpreh Moghreni për gazetarët.

George Ivanov: Platforma na nënshtron ndaj Shqipërisë
Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov sot u takua me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëskryetare e Komisionit Evropian, Federika Mogherini me të cilën bisedoi për gjendjen aktuale politike në vend.

Ivanov, siç informoi Kabineti i tij, vlerësoi se “me gjendjen Status Quo në integrimin evropian, Republikës së Maqedonisë i është penguar e drejta e prosperitetit dhe mundësohet ndikim i rritur i aktorëve të tjerë ndërkombëtarë”.

“BE nuk mund të lejojë që kjo të vazhdojë dhe përfundimisht duhet ta identifikojë Ballkanin si një prej prioriteteve të saj më të larta. BE duhet të ndërmarrë hapa urgjentë dhe ta përforcojë procesin integrues të Maqedonisë, i cili është i pakthyeshëm”, tha Ivanov.

Lidhur me vendimin e tij të fundit rreth ndarjes së mandatit, Ivanov tha se “në pajtim me Kushtetutën, nuk do ta emërojë si mandatar për konstituimin e qeverisë gjithsecilin që do të negociojë për platformat e shteteve të tjera me të cilat rrezikohet sovraniteti, pavarësia dhe unitariteti i shtetit”.

Me platformën post-zgjedhore shkelet Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit, ndërsa Maqedonia vihet në pozitë të nënshtrimit dhe varësisë prej një shteti tjetër. Qytetarët në zgjedhje votuan për reforma evropiane dhe jo për platformë post-zgjedhore të një shteti të huaj”, theksoi Ivanov.

Ivanov shtoi se hapja e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian do ta japin stimulimin e nevojshme për intensifikimi e proceseve reformuese në këto sfera kyçe dhe do t’i rrumbullakojë përpjekjet e BE-së për tejkalimin e krizave politike në Republikën e Maqedonisë.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, thuhet në kumtesë, theksoi se ka mirëkuptim të tërësishëm për ndërlikueshmërinë e situatës dhe rolin e presidentit në ballafaqimin me sfidat politike.

Mogherini theksoi se i kupton aspektin juridik dhe politik, relevantë për tejkalimin e situatës politike dhe se është e gatshme të ndihmojë që kriza aktuale politike të mos rritet në ndëretnike, madje edhe në krizë gjeopolitike. Mogerini shprehi bindjen se faktorët politik në Republikën e Maqedonisë mund të gjejnë dalje nga situata.

Zaev: Ivanov të respektojë proceset demokratike
Në takim me diplomaten merrnin pjesë kreu i BDI Ali Ahmeti, Menduh Thaçi si kryetar i PDSH-së, kryetari i lëvizjes BESA Bilal Kasami, Nikola Gruevski nga VMRO-DPMNE-ja dhe, si dhe kreu i LSDM-së Zoran Zaev. 

“Jemi të lumtur që pas kësaj vizite BE-ja po mbetet edhe më tej e përkushtuar në ardhmërinë e Maqedonisë dhe deri në anëtarësimin e plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian”, tha Zaev sipas të cilit 67 mandate janë kusht demokratik normal për të marrë mandatin për formimin qeverisë.
 
Prej këtu janë edhe pritjet e BE-së së qeveria e re në rast se jep rezultate në përmbushjen e reformave, atëherë BE-ja përmes institucioneve të saja do të ketë një arsye shtesë që të angazhohet në përshpejtimin e procesit për fillimin e negociatave të Maqedonisë për anëtarësim të plotë në strukturat euro-atlantike.
 
“Shpresoj se Ivanovi do ta shqyrtojë vendimin e tij dhe vërtetë do t’i respektojë proceset demokratike. Proceset demokratike përmes zgjedhjeve definojnë numrin e mandateve. Për momentin 67 mandate, nënkuptojnë 700 mijë vota, dhe këtë nuk mund ta anashkaloni”, tha Zaev.

Ziadin Sela: S'tërhiqemi, i qëndrojmë platformës shqiptare
U takuam me Mogherinin dhe përfaqësuesit e BE-së – mik të shtetit dhe qytetarëve të Maqedonisë, folëm për gjendjen politike, pas vendimit të djeshëm të të ashtuquajturit president i shtetit, në lidhje me mosdhënien e mandatit”, tha kryetari i LR-PDSH-së dhe përfaqësuesi i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela pas takimit me përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
 
“Aleanca për Shqiptarët vazhdon t’i qëndrojë deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare, të nënshkruara këtu.
 
Nuk ia japim të drejtën vetes si politikanë që të jemi kujdestar, të cilët i mbajnë peng të drejtat e një popullate të tërë, ne jemi përfaqësues të të drejtave të shqiptarëve, ndërkaq ato të drejta që janë të shkruara në Deklaratën Shqiptare, për ato kanë nevojë shqiptare. Të drejtë aspak nuk e ka ai që i thotë vetes president i shtetit, që me aktin e tij tregoi se është marinetë e kryetarit të VMRO-DPMNE-së”, tha Sela.
 
Kasami i "Besa": Kriza e koordinuar nga Gruevski-Ahmeti
“Gjatë takimit me Mogherinin, Lëvizja BESA shprehu shqetësimin për kizën e thellë institucionale në të cilën gjendet Maqedonia. "Të gjithë jemi dëshmitar se institucioni  fundit legjitim i shtetit, dje ra, ndërkaq sot Maqedonia gjendet në një krizë të thellë institucionale, pasi që Parlamenti ende nuk e ka përmbyllur seancën konstituive”, tha kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, pas takimit me përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
 
"Vizita e Mogherinit tregon se Maqedonia nuk është e vetmuar, në këtë krizë të thellë të cilët na futën partitë politike prej qeverisjes VMRO-BDI, për periudhën 8 vjeçare të mbështetur mbi krimin, korrupsionin, kapjen e institucioneve etj. Ne vlerësojmë lartë përkrahjen e BE-së dhe besojmë se Maqedonia nuk është e vetme në këtë proces", tha Kasami.
 
Ai premtoi se Lëvizja BESA do të vazhdojë ta përkrahë kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaevin, për të marrë mandatin për fillim të bisedimeve për formim të Qeverisë.
 
Sipas Kasamit, BDI-ja i dha alibi, presidentit Gjorge Ivanov të shtetit që të mos ia jep mandatin Zoran Zaevit.
 
“Kriza është e koordinuar nga dyshja VMRO-BDI, ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të gjitha forcat që duan t’i ndihmojnë Maqedonisë për anëtarësim në BE”, shtoi Kasami.

Redaksia Online
Al.N/E.M/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike