Përfaqësuesit e katër partive kryesore në Shkup nisën dje punën për zbatimin e marrëveshjes politike përsa i përket zgjidhjes së krizës në Maqedoni.
Përfaqësuesit e partive politike kanë përafruar qëndrimet rreth mënyrave për krijimin e listës zgjedhore dhe përbërjen e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, por ende mungon një marrëveshje përfundimtare, sipas agjencisë së lajmeve INA.
Siç dihet tashmë prej kohësh, propozim i LSDM-së është që lista të krijohet me regjistrim aktiv paraprakisht nga personat me të drejtë vote. Kjo mënyrë u propozua edhe nga organizatat monitoruese të zgjedhjeve "MOST" dhe "Civil".
VMRO është shprehur kundër këtij propozimi të LSDM dhe kërkon mënyra tjera për hartimin e listës zgjedhore. BDI-ja nga ana tjetër e vlerëson si shumë të dëmshëm për shqiptarët pasi sipas saj shumë shqiptarë do të ngelin jashtë listës zgjedhore.
BDI-ja ka propozuar votim me shenja gishtash që sipas tyre kjo mënyrë do të eliminonte keqpërdorimet zgjedhore.
Partitë nuk kanë arritur të bien dakord edhe për menaxhuesin e listës zgjedhore. Opozita kërkon që lista të menaxhohet nga Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve, ndërsa pushteti kërkon që edhe më tej kompetencat mbi listën zgjedhore t'i ketë Ministria e Brendshme.
Në takimin e djeshëm, që zgjati më tepër se 4 orë, përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së kanë diskutuar për krijimin e listës së re zgjedhore dhe për kompetencat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Grupi i punës do të vazhdojë edhe sot takimet, por me diskutime rreth prokurorit special dhe me ndërmjetësimin e ekspertit Xhejms Hamilton, sipas agjencisë së lajmeve INA.
Sipas afateve të planifikuara, deri më 15 shtator, palët duhet të arrijnë marrëveshjen për emërimin e prokurorit special. Ndërkohë, partia maqedonase në opozitë LSDM ka paralajmëruar se, deputetët e saj do të ndërpresin në shtator bojkotin dhe do të kthehen në Kuvend.