MAQEDONI - Diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2013 janë shoqëruar me debate dhe incidente verbale mes deputetëve të pozitës dhe opozitës në Parlamentin e Maqedonisë.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për çështje juridike, deputetja e VMRO-DPMNE, Blagorodna Duliç u ankua se deputetët e opozitës i thyen thonjtë, gjatë rebelimit të tyre ndërsa ajo po drejtonte mbledhjen e komisionit. Zënka dhe akuzat nisën kur Duliç nuk mori parasysh kërkesën e deputetëve të opozitës për një pushim të shkurtër. “Ata u tërbuan, thjesht u tërbuan”, u shpreh Duliç.

Ndërkaq, deputetët e LSDM-së opozitare hodhën poshtë akuzat e saj duke theksuar se bëhet fjalë për një tentim për fajësim të opozitës dhe inskenim të ngjarjeve. Acarimi i raporteve midis pozitës dhe opozitës maqedonase mund të shkaktojë krizë parlamentare me zvarritjen e miratimit të projektbuxhetit për 2013.

Mosmiratimi i buxhetit rrezikon të shkaktojë kaos dhe krizë ekonomiko-sociale në Maqedoni.

(eç/dm/shqiptarja.com)