Referendumi i 30 viteve më parë do të ndryshonte përfundimisht fatin e asaj që deri në vitin 1991 quhej republika jugosllave e Maqedonisë. Sot Maqedonia e Veriut është pjesë e NATO-s dhe aspirante për të hyrë në BE. Në këtë ditë të shënuar, në Shkup ishte edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili përcolli mesazhin e bashkimit për të gjithë bashkëkombasit.
30 vite më parë, 95% e qytetarëve të ish-republikës Jugosllave të Maqedonisë, vendosën fatin e asaj që sot është Maqedonia e Veriut. Ata iu përgjigjën pozitivisht pyetjes: “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”, në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991.
Në këtë ditë të shënuar për vendin, presidenti Stevo Pendarovksi foli për synimet për ta bërë Maqedoninë e Veriut një vend të denjë për të gjithë qytetarët e saj
“Tani ne kemi privilegjin të kemi vendin tonë të pavarur. Është koha që 30 vite pas, të mbledhim forcat dhe duke reflektuar nga gjenerata e parë e deputetëve të bashkohemi rreth interesave vitale të qytetarëve. Të punojmë që t’i afrohemi legjislacion evropian, jo vetëm në mënyrë formale, por edhe në mënyrë thelbësore, duke respektuar parimin e sundimit të së drejtës si dhe të të drejtave dhe lirive të secilit njeri. Vetëm kështu ndërtohet shoqëria e drejtë dhe e lirë me qytetarë të barabartë, pa dallim etnie, feje apo çfarëdo dallimi tjetër", tha Pendarovski.
Ndërsa kryeministri Zoran Zaev nuk la pa uruar veçanërisht të gjitha pakicat, pjesë e Maqedonisë së Veriut.
“8 Shtatori, Dita e Pavarësisë është një nga datat më të shenjta dhe më të ndritshme të historisë së Maqedonisë së Veriut. Të dashur maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vllehë, boshnjakë ... Të dashur bullgarë, kroatë, malazezë dhe të gjithë të tjerët, Urime për përvjetorin tonë-30 vjet pavarësi.
Në këtë ditë të shënuar, në Shkup ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili tha se fryma që bën bashkë kudo ku ka bashkëkombas, është mesazhi më i rëndësishëm që duhet përcjellë te çdo qytetar shqiptar.
“Bashkimi bën fuqinë, - kur ne jemi bashkë jemi të pamposhtur. Kur jemi bashkë mund të drejtojmë mirë qytetet; kur jemi bashkë mund të negociojmë marrëveshje që i rrinë kohës, siç ka qenë ajo për gjuhën, apo për flamurin. Por, ndonjëherë e harrojmë se gjërat e mira i kemi arritur falë këtij bashkimi. Ndaj, mesazhi që dua të sjell në Shkup, sidomos për vëllezërit dhe motrat shqiptare, është: Të bashkohemi! Nuk e kemi luksin të jemi të ndarë në shumë copa, sepse ashtu e humbim peshën tonë,” tha Veliaj.
Pas 30 viteve pavarësi, Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe është në pritje të hapjes së kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Referendumi asokohen u bojkotua nga shqiptarët, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re.
Ende pas kaq vitesh, Maqdonia e Veriut nuk ka një shifër të saktë të banorëve të saj maqedonas dhe të etnive të tjera, ngërç që pritet të marrë fund shumë shpejt, me Censusin 2021, procesi i cili ka nisur prej pak ditësh.