Maqedonia e Veriut nga sot nis kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ministri i Jashtëm tha se fokusi kryesor do të jenë misionet në terren dhe siguria e njerëzve.
“Fokusi ynë, si vend kryesues, do të jenë misionet në terren. Do të ndërmarrim dhe mbështesim aktivitete specifike që synojnë lehtësimin e jetës së njerëzve, promovimin e të drejtave dhe lirive të tyre”, u shpreh Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme.
Ai bëri me dije se përveç përqendrimit në rajonet e krizës dhe mbi të gjitha agresionit ushtarak kundër Ukrainës, prioritetet e Maqedonisë së Veriut si kryesuese do të jenë ri-afirmimi i përfitimeve të OSBE-së dhe rivendosja e dialogut dhe besimit.
“2023 do të jetë vit i rëndësishëm për pozitën ndërkombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Forcimi i profilizimit ndërkombëtar nënkupton një investim afatgjatë në zhvillimin ekonomik, mundësi të reja për të rinjtë dhe stabilitet. Në kushtet e luftës në rajonin e OSBE-së dhe marrëdhënieve komplekse politike midis vendeve pjesëmarrëse, ne do të fokusohemi në uljen e tensioneve, rivendosjen e besimit, prosperitetit dhe sigurisë së përgjithshme të njerëzve”, u shpreh Osmani për mediat maqedonase.
Më herët, edhe Shqipëria ka kryesuar OSBE-në, që nga 1 janari i vitit 2020 deri në janar të vitit 2021. Po ashtu edhe mandate i Maqedonisë në krye të organizatës do të jetë 1 vjeçar.