Nën moton “Drejtësi dhe Liri”, ka filluar protesta kundër vendimit të Gjykatës Penale për rastin “Monstra”. Protestuesit u grumbulluan në Çair dhe vazhduan rrugën drejtë Gjykatës dhe më pas edhe para Qeverisë. Protestuesit brohoriten “Pa drejtësi s’ka liri”., “Bashkohuni me ne”, “Poshtë tradhtarët-liri popullit”.
Protestës për rastin “Monstra”, iu bashkëngjiten edhe familjarët e Almir Aliut, vogëlushit nga Kumanova, për rastin e të cilit të hënën në Kumanovë protestuan dhe kërkuan rigjykim të rastit, dëmshpërblim si dhe lirimin nga akuza të tre familjarëve të Almirit.
Organizatori i protestës Bedri Ajdari iu drejtua policëve për hapje të rrugës duke iu ofruar edhe dokumentin me të cilin kanë paralajmëruar protestën e sotme , ndërkohë iu bëri thirrje edhe protestuesve për qetësi dhe durim.
“Vuajtjet e shqiptarëve në këtë vend nuk kanë të ndalur, këto vuajtje po i përjeton familja ime dhe shumë familje tjera. Kishim shpresë që vuajtjet tona do të ndalen dhe drejtësia do të vij në vend edhe për të vrarët edhe për të burgosurit. Por kur janë në pyetje shqiptarët aktakuzat vlejnë për të na dëmtuar me dënime kapitale, me burg të përjetshëm. Nuk pritej që qeveria Zaev ta shuaj shpresën për drejtësi. Ne me kokën lart dalim para popullit dhe themi se jemi krenar me familjarët tonë dhe se ato nuk janë fajtor, por faji i vetëm i tyre është sepse janë shqiptar”, tha Ajdari duke iu bërë thirrje ndërkombëtarëve që të kyçen në këtë proces për të zbardhur siç u shpreh ai të vërtetën. Gjykata për rastin Monstra ka dënuar Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq me burgim të përjetshëm, për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë. Haki dhe Fejzi Aziri u dënuan me nëntë, respektivisht 15 vjet burg. Gjykata Penale i shpalli ata fajtorë për veprat penale terrorizëm.
Bedri Ajdari e përmbylli protestën duke iu bërë thirrje të gjithë protestuesve që të shpërndahen të qetë, kjo nuk ndodhi. Disa protestues filluan të gjuanin me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë. Marshi i protestuesve është ndaluar tek Mavrovasja pasi ka hasur në një kordon të policisë. Për momentin organizatorët po bëjnë thirrje për hapjen e rrugës.
Rreth mesditës protestuesit u mblodhën tek Parku i Çairit. Në ora 13:20 filluan të lëvizin drejt gjykatës për t’i shprehur pakënaqësitë, siç thonë rastet e montuara gjyqësore.
Marshi protestues u gjet në pritë të kordonëve policore tek QT Mavrovasja. Gjithçka deri në atë moment ishte e qetë. Në mënyrë të qetë kërkuan të lirohet rruga, sepse protesta ishte paralajmëruar dhe aprovuar nga ana e MPB-së deri tek Qeveria.
‘Pra ju lus, në mënyrë paqësore të na e lironi rrugën, sepse protestat janë të qeta dhe paqësore. 39.04-Pra ju lutem lirojeni rrugën. Lirojeni rrugën. Lirojeni rrugën.’- tha Bedri Ajdari, familjarë i të akuzuarve te “Monstra”.
Por pasi policia nuk u largua, protestuesit ju dhanë afat prej 10 minuta që të largohen nga rruga.
‘Kush është përgjegjës për policët le të reagojë le t’i tërheqin policët nga rruga. Mund të monitorojnë protestën dhe të na përcjellin deri te Qeveria e Maqedonisë. Merrni vendim në afat prej 10 minutave. Ju lutem.’- tha Ajdari duke bërë thirrje.
Por policia edhe pas 10 minutave nuk u largua, situata u tensionua dhe filluan të gjuajnë me gurë dhe ngjyrë. Pasi që u penguan që të arrijnë në Qeveri siç ishte plani, vendosën që kërkesat e tyre ti thonë aty.
‘Prandaj sot po ju themi se u mbush kupa sepse populli nuk duron më. Të ndërpriten pazaret politike në kurriz të shqiptarëve të pafajshëm. Mjaft më i përdorët këto raste për pikë politike për përfitime votash. Të shkarkohen prokurorja dhe gjykatësit e rastit “Monstra” sepse fare nuk u morën me fakte dhe prova që duhej të dalin nga bisedat e përgjuara të lidhura me rastin. Kuvendi dhe Qeveria ti publikojnë bisedat e përgjuara nga rasti “Monstra”. Të thirren ekspert ndërkombëtare të cilët në mënyrë të pavarur të tipit të Eulexi në Kosovë që të merren me të gjitha rastet e montuara politike.’- tha Bedri Ajdari.
Pas kumtimit të kërkesave, një pjesë e protestuesve u bënë më agresiv. Policia reagoi duke gjuajtur shok bomba. Përveç shok bombave, policia gjuajti edhe me gurë. Gjatë përleshjes, u lënduan disa policë.
Gjatë përleshjes me policinë, një protestues u arrestua. Pas 3 orësh protestë, protestuesit filluan të shpërndahen. Edhe policët gjithashtu.
Si përfundim, tetë persona janë shoqëruar në polici dhe akoma po punohet në rastin, thonë nga MPB, ndërsa shtatë policë janë lënduar në protestën e sotme për “Monstrën”.