SHKUP- Maqedonia organizon sot zgjedhjet lokale në sfondin e një krize politike mes maxhorancës qeveritare të djathtë dhe opozitës së majtë të kësaj ish-republike jugosllave, por dhe tensioneve etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Në 80 komuna dhe qyteti i Shkupit si një njësi e veçantë administrative priten të zgjidhen drejtuesit e tyre dhe anëtarët e këshillave komunalë. Në 2.976 qendra votimi kutitë e votimit u hapën në orën 07.00 të mëngjesit, ndërsa të drejtën e votës e kanë 1.743.403 qytetarë.

Shqiptarët pritet të fitojnë postet e kryetarëve të komunave me shumicë dërrmuese si Tetova, Gostivari, Çairi në Shkup, Dibra e Madhe dhe një numër komunash rurale. Gjasat janë të mira që Struga e Kërçova gjatë katër viteve të ardshme të drejtohet nga prefektë shqiptarëve, shkruan Zëri i Amerikës.  Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni bëri të ditur se deri në orën 10:00 kanë votuar 12.49 për qind apo rreth 204 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Pjesëmarrje më e lartë është regjistruar në Kërçovë Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor Komunal, zgjedhjet po zhvillon në një atmosferë të qetë dhe pa incidente, ndërsa deri në orën 13 kanë votuar 54,8 për qind e votuesve.

MENDUH THAÇI NUK VOTON, NUK GJETI EMRIN N
Ë LISTË


Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi nuk votoi sot në Tetovë, pasi emri i tij nuk figuronte në listën e votuesve në vendvotimin në Kopshtin e vjetër në Tetovë.

Thaçi ka pritur që familja e tij e ngushtë të shfrytëzojë të drejtën e votimit dhe më pas është shfaqur para medieve duke deklaruar se i është hequr e drejta e votimit.

 “Nuk isha në listën zgjedhore edhe pse kam pasaportë biometrike. MPB, njësia rajonale e Tetovës nuk e ka informuar entin statistikor se unë kam pasaportë biometrike dhe kam të drejtë të votoj.

Kjo na shtyn të dyshojmë se shumë çështje janë të parregullta, sipas informacioneve që kemi në shtabin tonë. Shpresoj që gjithçka do të jetë në rregull por kjo është një sinjal shumë i keq për mundësinë e manipulimit të procesit zgjedhor”, ka theksuar kryetari i PDSH-së. 

menduh thaci

MINISTRIA E BRENDSHME: THAÇI NUK MUND TE VOTOJE ME PASAPORTE DIPLOMATIKE

Kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, nuk i  është dhënë mundësia të votojë sot, pasi nuk ka pasur në dispozicion dokumentet e nevojshme për këtë të drejtë qytetare. Për agjencinë e lajmeve “Zhurnal”, këtë e ka bërë të ditur, zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, sipas të cilit, letërnjoftimi i Thaçit nuk është biometrik por i vjetër.

“Në bazë të të dhënave tona, figuron se kryetari i PDSH-së, Thaçi, letërnjoftimin e ka nxjerrë më 30.07 2002 që i ka vlejtur deri më 2014-ën. Por pas kësaj date ai nuk nxjerrë letërnjoftim të ri biometrik apo pasaportë biometrike, si kusht për të votuar si çdo qytetar.

Afati i dokumenteve të reja biometrike ka qenë i njohur, pra deri në muajin tetor të vitit 2012, që do të thotë se ai nuk ka aplikuar për këtë të drejtë e si rrjedhim, nuk i ka nuk ka përmbushur kriteret për të votuar”, tha Kotevski.

Përsa i përket pasaportës biometrike, edhe pse nuk është e drejtë e MPB-së për të shpjeguar lidhur me të, Kotevski tha se pasaporta e Thaçit ka qenë e vlefshme prej vitit 1994 deri më 2004, ndërsa pasaporta diplomatike ka qenë me afat deri më 2015-ën, por edhe kjo, sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor nuk është dokument me të cilin votohet.

Edhe nga KSHZ, kryetari i Komisionit për pastrimin e Listës së votuesve, Bedredin Ibrahimi nga PDSH, është bërë e ditur për anomalitë e sipërmendura se “Pasaporta diplomatike nuk është dokument me të cilin votohet".

Kjo do të thotë se Menduh Thaçi, si çdo qytetar tjetër, duhej të kontrollonte nëse ishte apo nuk ishte në listë. Fakti që familja e tij ka votuar flet se edhe vetë ai po të kishte shkuar në Zyrën civile të MPB-se do kishte dokumente personale dhe do të mundte të votonte”.

Kryetari i PDSH-se Menduh Thaçi tha se nuk ka mundur sot të votojë në vendvotimin e tij pasi emri i tij është fshire nga listat e votuesve. “Nuk isha në listën zgjedhore edhe pse dokumentin e kam biometrik, kam pasaportë biometrike.

Ministria e punëve të brendshme, njësia rajonale e Tetovës nuk e ka informuar Entin statistikor se unë kam dokument biometrik dhe kam të drejtë të votoj.

Kjo na shtyn të dyshojmë se shumë çështje janë të parregullta, sipas informacioneve që kemi në shtabin tonë, në shumë komuna ka me qindra njerëz të cilët kanë dokumente të rregullta por nuk janë në listat zgjedhore. Shpresoj që gjithçka do të jetë në rregull por kjo është një sinjal shumë i keq për mundësinë e manipulimit të procesit zgjedhor”, ka thënë Thaçi për mediat.

Së fundmi në listën zgjedhore ka rezultuar e fshirë edhe deputetja e PDSH-së Merale Ferati-Uzeiri. “Fatkeqësisht emri im nuk gjendej në listën e votuesve me të drejtë vote. Pas shumë cikleve zgjedhore që unë votoj në këtë vendvotim, kësaj radhe nuk isha e shlyer.

Përpos shumë insistimeve të PDSH-së për të pastruar listat zgjedhore nga votuesit fiktiv, si duket nga lista e qytetarëve me të drejtë vote kanë pastruar shumë shqiptarë, përfshirë aty edhe neve, deputetëve të PDSH-së. Kjo është skandaloze”, tha ajo.

ZV.KRYEMINISTRI XHAFERRI: PRESIM FITOREN E SHUMICËS SHQIPTARE

Zv.Kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, në një prononcim për tv. “A1Report!” shprehu besimin se “në bazë të pjesëmarrjes në votimeve, shumica shqiptare, me ndihmën e pakicës turke e rome do zërë shumicën e Kuvendit. Sipas Xhaferrit, kandidati shqiptar do të fitojë; akoma po votohet, situata është e qetë dhe pritet një pjesmarrje mbi 90%.

VOTON ALI AHMETI: SHPRESOJMË QË ZGJEDHJET TË PËRFUNDOJNË KORREKT

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pasi votoi paraditen e sotme në orën lokale 11:00, vlerësoi zhvillimin e zgjedhjeve lokale dhe theksoi se deri në këto momente zgjedhjet po zhvillohen në mënyrë korrekte dhe demokratike. Sipas ATSH-së, gjysmë ore më vonë votoi edhe kandidati i BDI-së për kryetar të Kërçovës, Fatmir Dehari duke vlerësuar zhvillimin e këtyre zgjedhjeve.

"Vota ime është për qytetarët e Kërçovës dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë në këtë territor. Procesi zgjedhor deri në këtë moment po zhvillohet në një atmosferë normale dhe shpresoj që kështu do të vazhdojë deri në fund të ditës", theksoi Dehari.

NË KËRÇOVË E STRUGË, RIVALITETI MES KANDIDATIT SHQIPTAR E MAQEDONAS

Nnë qytetet Kërçovë dhe Strugë, ku mbretëron një ekuilibër etnik mes shqiptarëve dhe maqedonasve, një duel i ngushtë njoftohet në garën zgjedhore mes kandidatëve të dy komuniteteve. Në dy qytetet, partitë politike janë secila të përqendruara rreth një kandidati të vetëm, shqiptar dhe maqedonas. Për herë të parë që prej 20 vjetësh, VMRO-DPMNE (në pushtet) dhe LSDM mbështesin të njëjtin kandidat në Kërçovë dhe Strugë. Krahu shqiptar, rivalët politikë të Bashkimit Demokratik Shqiptar (BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) kanë bashkuar forcat e tyre.

Një garë e fortë pritet të jetë  edhe për Shkupin, Tetovën, Kumanovën, Gostivarin, Manastirin, Ohrin. Nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve  varen edhe mundësitë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, shkruan INA  Zgjedhjet shikohen si test dhe mbarëvajtja e tyre mund të ndikojë në përpilimin e raportit të KE për Maqedoninë që pritet të dalë në muajin prill.

Dje votuan mbi 1.446 të burgosur nëpër burgjet e vendit, 136 qytetarë me status të të zhvendosurëve si dhe personate sëmurë. Zgjedhjet do të monitorohen nga 8.379 vëzhgues vendor dhe 410 vëzhgues të huaj të akredituar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni. Të parat u mbajtën në vitin 1990, të ardhshmet në vitin 1996, në vitin 2000, në vitin 2005, ndërsa të fundit në vitin 2009.

DËSHTOJNË TENTATIVAT PËR TË NDALUR ARDHJEN E SHQIPTARËVE NGA DIASPORA

Zhurnal.mk shkruan se maqedonasit janë përpjekur për të penguar ardhjen e emigrantëve shqiptarë në Maqedoni, duke mos lejuar kompanitë “Air Bukuresht” dhe “Enter Air” , dy kompanitë ajrore të cilat morën përsipër të bënin udhëtimet charter të emigrantëve të mos ndalonin në Maqedoni me arsyetimin se nuk kishin plotësuar procedurat evropiane. Ndonëse me disa orë vonesë, janë realizuar të gjitha aterrimet e avionëve me të cilat po mbarten disa mijëra shqiptarë, për të votuar në zgjedhjet e së dielës. Gjithashtu gjatë mbrëmjes u dha dhe një alarm për bombë, “si një orvatje e dëshpëruar për të penguar ardhjen e shqiptarëve nga diaspora”, shkruajnë mediat maqedonase. Pas hetimeve rezultoi se alarmi ishte i rremë. Të gjitha këto nuk kanë tërhequr shqiptarët emigrantë që të hiqnin dorë nga kthimi në Maqedoni për të votuar.

Marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve janë shënuar nga tensione. Në fillim të muajit mars, më shumë se 10 persona, dy prej të cilëve policë, u plagosën në Shkup nga përplasjet mes manifestuesve shqiptarë dhe policëve maqedonas pas emërimit të një ish-shefi të gueriljeve shqiptare në postin e ministrit të Mbrojtjes.

Redaksia online
(ar.sh/sg/shqiptarja.com)