BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç deklaroi sërish se është i gatshëm të ndërmjetësojë në mosmarrëveshjet për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila bllokon rrugën e Shkupit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

"Kam udhëtuar në dy shtetet dhe kam biseduar me presidentët dhe kryeministrat. Mosmarrëveshja është serioze dhe më duket se mund të zgjidhet kur edhe të parët edhe të dytët do ta kuptonin se me insistim kokëfortësie nuk do të arrinin askund", deklaroi Nikoliç në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve, Beta.

Ai shton se pret një takim me presidentin e Greqisë dhe të Maqedonisë, që do të ishte biseda e tyre pas kaq kohësh.

"U thashë edhe të parëve edhe të dytëve se jam në dispozicion, por nëse më lusin që të propozoj zgjidhje, ajo nuk duhet të jetë e pranueshme vetëm për të parët ose vetëm për të dytët. Ballkani nuk guxon të jetë më vend i përplasjeve", deklaroi presidenti serb Nikoliç.

(sg/atsh/shqiptarja.com)