SHKUP - Zv/kryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë, Fatmir Besimi sot do të takohet me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dimitris Avramopulos. Lajmin e bën të ditur “Bota sot” në Kosovë.

Ky takim ka nxitur komente të ndryshme në Athinë dhe Shkup, pikërisht për shkak të kontestit të emrit dhe nivelit të zhvillimit të tij midis një ministri shqiptar në kabinetin qeveritar të Maqedonisë dhe ministrit grek.

Zv. kryeministri Besimi ka sqaruar disa ditë më parë se temat e këtij takimi do të jenë integrimet euro-atlantike të vendit dhe marrëdhëniet bilatareale mes dy vendeve fqinje. Besimi nuk bëri të ditur, nëse do t’ia përcjell diplomatit grek qëndrimet e qeverisë rreth propozimit të fundit të ndërmjetësit, Methju Nimic rreth çështjes së emrit, por tha se edhe problemi i emrit do të jenë një nga temat, që do të shtrohen në tryezë.

Besimi e cilësoi si të rëndësishëm takimin me autoritet greke në kohën kur kanë mbetur edhe 1 muaj deri tek samiti i qershorit të Këshillit të BE-së, kur shtetet anëtare do të vendosin, nëse do t’ia japin apo jo këtë vit datën për fillimin e negociatave me BE-në.

Gazeta greke “To Vima” ka komentuar takimin e sotshëm, duke nënvizuar se përmes këtij takimi Athina po kërkon kanale për komunikimin me Shkupin, në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga qorrsokaku rreth kontekstit të emrit dhe pas qëndrimeve të palëkundura të kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Gazeta shkruan se Besimi është anëtar i kabinetit qeveritar nga partia shqiptare BDI dhe se ai vlerësohet si një politikan i urtë dhe se ai edhe më parë është takuar me homologun grek Avramopulos, në kohën kur ishin ministra të mbrojtjes.

“To Vima” komenton edhe një burim të lartë diplomatik grek, ku nënvizohet se pala greke komunikon dhe bisedon me çdokënd, që është i interesuar për bashkëpunim.

(ma/shqiptarja.com)