Mark Luli: Vikena është një
ikonë e skenave shqiptare

Mark Luli: Vikena është një <br />ikonë e skenave shqiptare
TIRANE- Suksesi i Vikena Kamenicës në koncertin “Ëndërr vere" e shoqëruar në piano nga Merita Rexha është një nga më të rrallët koncerte që jo vetëm është duartrokitur, por edhe është komentuar pas premierës si sukses unik nga personalitete të ndryshme të artit dhe të medias. Për Vikena Kamenicën dhe koncertin e saj në Universitetin e Arteve ka pasur shumë për të thënë dhe çdo gjë që thuhet pas këtij koncerti shoqërohet me një ndjenjë habie, sesi kjo këngëtare arrin të qëndrojë gjithnjë në nivele të larta interpretimi. Si mundet ajo të këndojë aq me lirshmëri vepra të rralla dhe virtuoze siç janë Schubert, Massenet, Mascagni, Saint-Saens, Tchaikovsky, Weill, Gershëin, etj. 
Harmonia e këngës së saj me tingujt e pianistes Merita Rexha u lexua qartë nga publiku. Muzikantë profesionistë kanë komentuar sesi e kishte gjetur gjuha dhe zëri i Vikena Kamenicës gjuhën e tingujve të Merita Rexhës, për të mbërritur në një performancë që i la me frymën pezull. Nga këto që shkruam më sipër pati mjaft vlerësime, por ai që do të donte të fliste pas këtij koncerti është kompozitori dhe kritiku i muzikës Mark Luli. 
Ai pasi shprehet se “nuk duhet të mungojë kurrsesi një vlerësim profesional dhe kritik pas një suksesi të tillë, pas një koncerti që bënë dallim nga të tjerët si ai i Vikena Kamenicës”, flet në gjuhën profesionale se në çfarë shkalle shkëlqyen në koncertin e datës 7 qershor të dyja artistet Vikena Kamenica dhe Merita Rexha.

Mark, si e vlerësuat mbrëmë koncertin e Vikena Kamenicës si kompozitor dhe kritik muzike?
-Ishte një model. Ishte një koncert i veçantë. U luajtën vepra shumë të njohura. Kam parë një reagim absolut të publikut. Kam parë një lojë perfekte dhe një intonacion ideal. Dhe duke qenë artistë, unë dhe miqtë e mi, jemi ndier shumë mirë dhe shpresojmë t’i shohim sa më shpesh koncerte të tilla.

Këtu në Akademi jepen shumë koncerte, por nuk vjen përherë publiku i duhur. Ndryshe ishte mbrëmë, apo jo?
-Vikena është një personalitet shumë i njohur për publikun tonë dhe me një partnere si Merita Rexha ato u bënë model të lojës ideale skenike. Shija që lënë ato në publik është e shkëlqyer. Vikena është një primadonë e koncerteve, pa asnjë dallim nga ato që japin koncerte në skenat e mëdha botërore. Nuk e zmadhoj këtë që them. Të dyja artistet bashkërenduan dhe u vendosën në një gjendje shpirtërore ideale që gjithmonë ka të bëjë me lojën, me personazhet që luajnë në skenë dhe me repertorin. Me një repertor që ne e kishim si ëndërr, si ideal.

Pra, bëhet fjalë për një repertor që veprat që u ngjitën në skenë kanë vështirësi interpretimi?
-Bëhet fjalë për një repertor që ne e kishim si ëndërr, kishim mall ta dëgjonim. Është një nga ariet më të bukura të botës deri tek muzika moderne, tek autorët. Ishte një mrekulli, një fat për publikun një perfeksionim që ne nuk pamë dot asgjë që nuk shkonte. Një intonim i të dyja artisteve dhe loja, sinkronizmi ka të bëjë shumë me nivelin e secilës, kantos me pianon, që ishin në mënyrën ideale. Syri kritik pohon që vërtetë ishte një lojë model. Ishte një kulturë koncertore që na nderoi shumë si artistë.

Meqë Merita si pianiste zakonisht rri “pas kuintave”, cili do të ishte përcaktimi juaj si profesionist për lojën e saj në piano?
-Merita është një emër i madh në instrumentin e pianos. Vërtet është një pianiste që krijon botë, krijon respekt, të bënë me zor ta dëgjosh dhe sigurisht me një partnere ideale si Vikena Kamnica gjeti mbështetje, pse të mos shkonin të gjitha gjëra ideale, siç ndodhi mbrëmë. Vikenën dhe Meritën është mirë që t’i shikojmë më shpesh në skenë si artiste. Repertori që përballuan ato është i vështirë edhe sikur vetëm të ecësh në skenë dhe jo ta bësh siç e bënë ato të dyja publikun për vete.

Sa e domosdoshme është nevoja e kritikës muzikore pas sukseseve të tilla skenike?
-Absolutisht që është e madhe. Unë përpiqem të shkruaj dhe kam shkruar rreth disa koncerteve, por nuk duhet të jem vetëm. Madje për një koncert të tillë duhet një penë e mirë e kritikës muzikore.

Sigurisht secila artiste ka teknikën dhe stilin e saj që përcakton suksesin...
-Po. Merita ka një kulturë të jashtëzakonshme muzikore. Unë do ta quaja “Mbretëreshën e pianos”. Ajo ka një botë të jashtëzakonshme. Ka vullnet, Po të shprehemi figurativisht e skllavëron pianon. Ajo e trajton gjithçka ashtu siç do ta donte rasti interesant i interpretimit të Vikenës. Rexha ndërton, frazon. Është fat të këndosh me të.

Dhe stili i Vikenës?
-Për mua Vikena është më e veçanta në Shqipëri. Ka diçka unike që e tejkalon konceptin e stilit si këngëtare. Zoti i ka dhënë Vikena Kamenicës më të mirat e botës, talentin, dhuntinë, inteligjencën, vullnetin e madh. Nuk e di një artiste si ajo pse të mos shihet dhe në skenat e botës. Ajo ka nevojë për trajtim dhe është këngëtare që di të këndojë në të gjitha skenat e botës. Ajo duhet të gjejë mënyra që të këndojë pa frikë në skenat e botës.

Vikenës me zor i rrëmben ndonjë fjalë kur merret në intervistë?
-Sigurisht, sepse ajo më tepër punon. Ka një mënyrë që flet në skenë. Në skenë arrin të thotë gjithçka, ajo të bën të gëzosh, të qeshësh, të ndjesh. Është një model. Unë për Vikenën them se është një ikonë e skenave shqiptare. Janë vepra që pakkush di t’i këndojë. Nuk e them teorikisht këtë, por ngaqë i di vështirësitë e interpretimit të këtyre veprave ajo si këngëtare me bukurinë, humorin, inteligjencën, dashamirësinë dhe zërin që ka, është gjetja më e mirë për të pasur sukses absolute në një koncert të tillë. Janë shumë gjëra profesionale që i bashkërendit në zërin e saj vetëm Vikena.

Shkurt. Me kë do ta krahasonim këngëtaren Vikena Kamenica?
-Me personalitet e këngëtareve të perëndimit. Pa asnjë ndryshim është një këngëtare e famshme. Dhe unë nuk e krahasoj dot një zë konkret sepse dëshiroj ta quaj të papërsëritshme. Ajo është Vikena Kamenica!

(dhh/jd/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut