TIRANE – “Grupe brenda Partisë Demokratike duan dështimin e Bashës si kryetar”. Ka qenë kjo deklarata e ish-deputetit demokrat, Mark Marku i ftuar në studion e A1 Report. Sipas tij, Partia Demokratike si formacion politik duhet të analizojë jo vetëm humbjen por të gjithë historinë e saj prej vitit 1991.
 
“Basha nuk mund ta fitojë menjëherë autoritetin dhe legjitimitetin. Problemi është se çfarë po bën ai për të qenë lideri i PD. Për mendimin tim po bën shumë pak”- u shpreh publicisti Marku.
 
Pavarësisht se Marku thekson zgjedhjen e Bashës në krye të PD-së nga anëtarësia e kësaj partie, ai shprehet se një konflikt i mundshëm me Berishën, që sipas tij deri më tani nuk ka ndodhur, do ta dëmtonte Bashën.
 
“Ai duhet të paraqesë projektin e vet politik, por deri tani nuk e kemi parë. ”- tha Mark Marku në intervistën me gazetaren Erjona Rusi.
 
Lidhur me grupet brenda PD që kërkojnë dështimin e Bashës, Marku shtoi se Berisha e mbështet, por nuk dihet nëse është apo jo afatgjatë kjo mbështetje.
 
Deputeti Marku është pyetur edhe për problemet brenda PD-së. “Pakënaqësitë kanë qenë përherë, por nuk janë artikuluar. Tani mesa duket kanë filluar të dalin më hapur”-u përgjigj Marku
 
Përgjatë intervistës Marku u shpreh se PD duhet të bëjë një analizë të përgjithshme. “PD si formacion politik duhet të analizojë jo vetëm humbjen por të gjithë historinë e vetë prej 1991. Analizë të cilën PD shpesh është thënë por asnjëherë nuk është bërë”-tha Marku. Apelin për një analizë të përgjithshme publicisti Marku e ka bërë për të gjitha partitë.
 
Kritikë tjetër për PD Marku i referohet humbjes së identitetit, pasi sipas tij nuk përfaqëson më shtresat sociale të cilat e mbështetën kur u krijua si ish-të përndjekurit politik apo studentët. “PD është përfaqësuar nga identiteti i Berishës, në momentin që ai u largua, partia mbeti si hije e tij”, përfundoi Marku.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com )