Meta vuri në dukje se konkretizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve duhet të fillojë me finalizimin e menjëhershëm të tre marrëveshjeve në pritje për lehtësimin e regjimit të vizave, eliminimin e taksimit të dyfishtë dhe për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve. Në këtë drejtim u theksua se dy parlamentet kanë rënë dakord t’i mbështesin qeveritë respektive për thellimin e kuadrit ligjor bilateral.
“Është një kënaqësi e veçantë për mua të takohesha me Ministrin e jashtëm të Marokut, gjatë kësaj vizite zyrtare në Mbretërinë e Marokut. Dua ta falënderoj Ministrin e nderuar i cili në mënyrë shumë konçize theksoi tre prioritetet e shpejta që kemi për të konkluduar shumë shpejt. Tre marrëveshje, të cilat do të hapin rrugën për shumëfishim të shkëmbimeve tona njerëzore, por edhe ekonomike, tregtare dhe kulture. Pra, lehtësimi i vizave duke nisur me heqjen e taksimit të dyfishtë dhe marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve.” u shpreh Kreu i Kuvendit
Ministri i Jashtëm Mezouar teksa vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, siguroi Metën se marrëveshjet në proces duhen finalizuar sa më shpejt me qëllim hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi mes dy vendeve.
Gjithashtu, Mezouar shprehu mirënjohjen për qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të ruajtjes së integritetit territorial të Mbretërisë së Marokut, duke e cilësuar këtë si një kontribut për stabilitetin rajonal të zonës së Saharasë.
Më tej, Kryetari Meta dhe Ministri Mezouar ranë dakord për intensifikimin e kontakteve në planin ndërkombëtar në kuadër të OKB-së, Organizatës për Bashkëpunim Islamik, OSBE-së, Unionit për Mesdheun si dhe në kuadër të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke shprehur bindjen se Shqipëria dhe Maroku ndajnë përqasje të ngjashme mbi luftën ndaj terrorizmit, sigurisë dhe forcimit të paqes në botë.
“Jemi të bindur që marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale midis dy popujve tanë, pra mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Marokut, meritojnë rezultate më të prekshme në dobi të dy popujve tanë. Ndaj dhe do të ecim më shpejt në këtë drejtim. Njëkohësisht Shqipëria mbështet në mënyrë të qartë integritetin territorial të Mbretërisë së Marokut dhe e vlerësojmë këtë shumë të rëndësishme për stabilitetin e gjithë këtij rajoni dhe do të forcojmë bashkëpunimin me Marokun në të gjithë organizatat ndërkombëtare në mënyrë që Mesdheu të bëhet një rajon edhe më i paqtë, por edhe më i begatë.” tha Meta
Ndërkaq, Meta ripërsëriti kërkesën e Shqipërisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mbretëria e Marokut, si një realitet të pakthyeshëm që njihet prej 110 shteteve anëtare të OKB-së.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)