TIRANE - Ministri i Brendshëm Flamur Noka dhe ambasadorja e Francës në Tiranë, Kristine Moro, nënshkruan marrëveshjen e përbashkët për ndërtimin e ambienteve të posaçme për intervistimin e të miturve, të cilët janë dëshmitarë në krime, viktima të keqtrajtimit, shfrytëzimit për prostitucion apo trafikimit.

Në fjalën e tij, Minsitri Noka tha se kjo marrëveshje është hapi i dytë që merret në luftën kundër shfrytëzimit të të miturve:

“Fëmijët janë një kategori, e cila ka nevojë më shumë se çdo kategori tjetër, për një trajtim të posaçëm dhe të veçantë. Krijimi i këtij ambienti të posaçëm për intervistimin e të mitureve u siguron atyre ndjenjën e privatësisë, i bën ata të ndjehen të sigurtë fizikisht dhe psikologjikisht gjatë intervistës. Rrjedhimisht, këto kushte ndikojnë në një reagimin pozitiv në dhënien pa droje të informacioneve të nevojshme, por edhe të domosdoshme për fillimin e hetimeve të procesve të ndryshme penale” – theksoi Minisitri i Brendshëm.

Ndërkohë ambasadorja Moro, nënvizoi se ky bashkëpunim do të vijojë edhe në të ardhmen, pasi çështja e trafikimit apo shfrytëzimit të fëmijëve është një fenomen ndërkombëtar, dhe shkëmbimi i eksperiencave më të mira në këtë fushë, do të ndikonte ndjeshëm në luftën ndaj çdo lloj shfytëzimi ndaj të miturve.

Kjo marrëveshje, që përbën fazën e dytë të këtij të projekti të përbashkët, mundëson financimin për ngritjen e sallës së veçantë pranë Drejtorisë së Qarkut Vlorë. Në fazën e parë të këtij projketi, ka përfunduar ndërtimi i kësaj salle në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.


(er.ci/Shqiptarja.com)