Në një botë të tendosur me konflikte të pazgjidhura nga Lindja e Mesme deri në Azinë Qëndrore dhe Gadishullin Korean, ka një fije shprese për një rajon tjetër që historikisht ka pasur shumë luftëra - Ballkanin.

Pas 10 raundeve intensive të dialogut dhe gjashtë muajve të diskutimeve direkte, kryeministri serb, Ivica Dacic dhe unë së fundi kemi parafuar një marrëveshje historike që zgjidh shumicën e kontesteve të diskutueshme – marrëveshja e parë gjatë konfliktit të thellë dhe të gjatë në mes të vendeve tona.

Çka nuk ka mundur të zgjidhet për më shumë se 100 vjet është zgjidhur, duke ju falenderuar përkushtimit të udhëheqësisë të Kosovës dhe Serbisë, ndërmjetësimit të pazëvendësueshëm të udhëheqëses së politikës së jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian, dhe përkrahjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara.

Për një botë të lodhur nga luftërat, mësimet janë të qarta: Armiqtë e paepur mund të bëhen fqinjë paqësore, dhe më pas partnerë pragmatik, dhe në një kohë – edhe mund – të bëhen miq. Mosmarrëveshja dhe konflikti mund t’i hapin rrugë diplomacisë dhe kompromisit. Udhëheqësit kombëtarë dhe popujt e tyre mund të vijnë në konkluzionin e guximshëm se e ardhmja, duke punuar së bashku është shumë më e mirë se e ardhmja duke e luftuar njëri tjetrin përgjithmonë. Për të bërë paqe brenda dhe ndërmjet shteteve, është thelbësore që Kushtetutat e tyre të përfshijnë dispozita që respektojnë të drejtat e minoriteteve etnike.

Përkundër tërë problemeve ekonomike me të cilat po përballet kontinenti jonë, Kosova dhe Serbia janë përcaktuar për perspektivën e tyre të integrimit në BE, me vizionin e një Europe paqësore dhe prosperuese, me kufij të hapur për njerëz dhe mallra. Ky është një vizion për të cilin ia vlen të punohet dhe të bësh kompromise. Si kryeministër, jam i bekuar të udhëheq një shtet që ka përqafuar plotësisht vlerat europiane.

Të jeni të sigurtë se nuk ishte e lehte që të arrihet kjo marrëveshje, dhe nuk do të jetë e lehtë që të shkohet përpara në të ardhmen të cilën të dy kombet tona e dëshirojnë. Për kohë shumë të gjatë serbët dhe shqiptarët në Ballkan kanë qenë të ndarë me rivalitete dhe kufij dhe etnicitet.Gjatë dialogut, të dyja palët jemi ballafaquar me zgjedhje të vështira, dhë të dyja palët kemi marrë vendime të vështira për të arritur marrëveshjen.

Ne e kemi tejkaluar psikologjinë e urrejtjes thelbësisht dhe e kemi zëvendësuar me dialog si një mjet për gjetjen e një zgjidhje dhe arritjes së një marrëveshje përfundimtare. Kjo marrëveshje është njëra ndër pjesët e fundit dhe më të rëndësishme që bie në vend në Ballkan, duke e lënë të kaluarën prapa dhe duke ofruar një rrugë jetëgjatë të paqes dhe sigurisë për njerëzit jo vetëm në Kososvë dhe Serbi, por në tërë rajonit.

Si pjesë vendimtare e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, marrëveshja jonë ofron të drejta shtesë dhe të zgjeruara për pjesën veriore të Kosovës që është e banuar me shumicë serbe – një zgjidhje që do t’i integrojë ata në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës duke krijuar komuna të reja me shumicë serbe që garantojnë të drejta politike, ekonomike dhe shoqëroro-kulturore.

Sipas marrëveshjes, Serbia duhet të shpërbëj strukturat ilegale politike, gjyqësore dhe të sigurisë. Si rezultat, aty do të jetë një forcë policore multietnike e Kosovës dhe një linjë e vetme komandimi. Rajoni i ri policor i Mitrovicës së veriut do të udhëhiqet nga një komdandat i zgjedhur rajonal, i cili do të jetë nga komuniteti serb. Për më tepër, gjykatat në veri do të funksionojnë sipas ligjeve të Kosovës, dhe do të rekrutojnë dhe do të emërojnë më shumë gjykatës serbë të Kosovës

Demokracisë do t’i hapet rruga: Pas 14 vjetëve, këtë vjeshtë do të mbahen zgjedhjet e para lokale në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovë, në përputhshmëri me ligjet e Kosovës dhe me ndihmën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë.

Marrëveshja jonë gjithashtu thotë se as Serbia dhe as Kosova nuk do të bllokojnë apo të inkurajojnë të tjerët të bllokojnë, progresin e njëra tjetrës në rrugën për integrim në BE. Kjo ndihmë e dyanshme nga armiqtë e dikurshëm është një shenjë premtuese se rruga drejt integrimit Europian për të dy shtetet tona do të jetë e ndritshme dhe e shpejtë, bazuar në kushte fer dhe merita individuale.

Tashme BE-ja është duke e bërë pjesën e vet. Duke njohur që Serbia dhe Kosova kanë bërë kompromise të dhimshme, Komisioni Europian ka kërkuar që të vendoset një datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Serbise. Ndërkohë, Komisioni po ashtu ka rekomanduar fillimin e negociatave me Kosovën për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit – një hap i rëndësishëm drejt antarësimit në BE.

Për Kosovën, kjo marrëveshje dhe veprimet e BE-së janë hapa signifikantë drejt pjesëmarrjes në komunitetin e BE-së dhe atë botëror. Gati 100 vende, përfshirë të gjitha, perveç 5 nga 27 anëtarët e BE-së, kanë njhour pavarësine e Kosovës. Ne besojmë që nëpërmjet kësaj marrëveshje Serbia ka njohur de-facto sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial, Kushtetutën dhe ligjet. Tash është koha që pesë vendet e mbetura të BE-së të bashkangjiten dhe njohin vendin tonë.

Për Serbinë dhe Kosovën, marrëveshja jonë historike ofron shpresa të reja për punë, rritje ekonomike, zhvillim dhe prosperitet, siguri për shtëpi tona dhe komunitetet si dhe tolerancë për të gjithë popullin.

Për popujt që janë në luftë kudo, ky është mesazh që brutaliteti dhe gjakderdhja mund të zëvendësohen me pajtim dhe arsyetimin – se ne kemi kurajon dhe besimin për një të ardhme më të mirë.

Nga Hashim Thaçi