Marrëveshja CEZ-DIA, pas Metës
del dhe emri i Ahmetit: S'kam lidhje

Marrëveshja CEZ-DIA, pas Metës<br />del dhe emri i Ahmetit: S'kam lidhje
TIRANE - Skandali për marrëveshjen mes CEZ dhe DIA kanë përfshirë dhe emra të tjerë. Në dosjen e arbitrazhit rezulton se në bisedime është përfshirë dhe Petrit Ahmeti, vëllai i ish-kryeministrit Vilson Ahmeti. Të dhënat janë pasqyruar në dëshmitë e mbledhura prej studios së avokatisë Clifford Chance, të cilat i ka paraqitur në arbitrazh. Tashmë lista e emrave të akuzuar për këtë marrëveshje janë shtuar nga ish-kryeministri Ilir Meta, ish-kreu i PD-së Sali Berisha, si dhe emri i ish-kryeministrit Vilson Ahmeti. 

Në dëshmitë e mbledhura prej avokatëve theksohet se Kastriot Ismailaj kishte nisur më parë bisedimet për të arritur një marrëveshje me CEZ në Pragë për mbledhjen e detyrimeve në Shqipëri. Dhe po konsultohej me ekspertët. Gjatë diskutimeve, Ismailaj kishte kërkuar dhe përgatitjen e një dokumenti konkret, të cilin do të duhej ta paraqiste në Pragë.

"Këtë dokument unë e kam përgatitur në bashkëpunim me shtetasin Petrit Ahmetaj, të cilin e ka thirrur për këtë punë vetë Kastrioti. Eksperienca e Petritit ishte e madhe, sepse edhe ai kishte punuar për një kohë të gjatë në sistemin elektroenergjetik. Dokumenti është përgatitur për një kohë prej rreth dy javësh dhe i është dorëzuar Kastriotit, i cili, pasi mbaroi ky dokument, do të shkonte në Pragë tek CEZ Praga, në funksion të marrjes së një pune” thuhet në dëshmitë që janë në dosjen e arbitrazhit. Ndërkohë që Ahmeti ka qenë këshilltar i ERE-s në momentin e lidhjes së kontratës e më pas u zgjodh kryetar i bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë.

Pikërisht kjo ka bërë që emri i ish-kryeministrit Vilson Ahmeti të përfshihet në debatin politik. Në vitin 2010 Petrit Ahmeti dhe Kastriot Ismailaj kanë krijuar kompaninë ASSET. Pak ditë më pare, në dokumentet e Clifford Chance zbulohej se, në marrëveshjen mes CEZ dhe DIA, kishte ndikuar dhe një ish-kryeministër i akuzuar më parë për korrupsion. Gjë kjo, që solli dhe aludimin se ish-kryeministri i përfolur ishte Ilir Meta. Akuza këto, që u shoqëruan dhe me një deklaratë të ish-ambasadorit në Çeki Qazim Tepshi. 

Por publikimi i dokumenteve të tjera ka nxjerrë emrin e ish-kryeministrit Ahmeti. Nga ana e tij, ky i fundit, në një deklaratë për mediat, ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me çështjen. 

“Të dy shoqëritë e përfolura në këtë çështje janë shoqëri private dhe, si të tilla, nuk kanë nevojë për një negociator apo “marifetxhi” për të lidhur një kontratë mes tyre. Në kushtet e mia, nuk di se çfarë mund t’u ofroja këtyre shoqërive për të arritur marrëveshjen mes tyre, kur dihet qartësisht se, as nuk kam patur pushtet në vitin 2009, të cilit i referohet gazeta, dhe nuk kam as në ditët e sotme. Sipas asaj që kushdo kupton në mënyrë intuitive, asnjë person pa pushtet apo pa suport politik nuk mund të ndikojë në marrëveshje midis shoqërive private. Është vetëm forca e shtetit ajo, që mundëson një gjë të tillë dhe, natyrisht, kur ka vullnet nga palët në anën tjetër”, shprehet Vilson Ahmeti në një deklaratë për mediat. 

Po ashtu, ai shton se nuk ka asnjë lidhje me drejtorin çek të CEZ-it Hejsek. “Përsa i përket pretendimit të një rryshfeti të paguar nga Hejsek, mund të them se nuk e kam takuar ndonjëherë këtë person dhe, ashtu si shpjegova më lart, nuk ka arsye të ndodhte një gjë e tillë”, tha Ahmeti.
 
Përplasja/ Akuza pas shkrimit të RD, Vasili: Basha si Bruti, po sulmon Berishën
Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka deklaruar dje se në dosjen e arbitrazhit mes CEZ dhe DIA nuk përmendet emri i Ilir Metës por i Sali Berishës. Ndaj Vasili shton se këtë fakt kryetari aktual i PD-së Lulzim Basha e di ndaj dhe po ushtron presion ndaj paraardhësit të tij në PD Sali Berisha. “Përpiqen me forma tinëzare që të shkojnë tek larje hesapesh, pra “Bruti dhe Çezari” brenda PD-së, i cili më së fundmi u bë evident”, tha dje Vasili.

Për këtë Vasili i është referuar shkrimit në gazetën Rilindja Demokratike e cila në faqen e parë akuzonte Metën, ndërsa në faqet e brendshme të saj publikonte deklaratën ku përmendej emri i Sali Berishës. “Në faqen e parë ju keni mundësi të shikoni një titull që citon z. Heysek, i cili sipas RD thotë se biznesmeni është një njeri i besuar i z. Meta. Kjo frazë nuk gjendet dhe as ky emër nuk gjendet në raport dhe PD-ja çuditërisht bëhet korrekte dhe këtu nxjerr edhe thelbin e çështjes në faqen 3, ku thotë shumë qartë se biznesmeni është një njeri i besuar edhe i ish-Kryeministrit Berisha”, tha Vasili.

Sipas tij çështja nuk ka të bëjë me Metën “por ka të bëjë pikërisht me në qerthull njerëzish të besuar dhe të afërt të z. Berisha, të cilët sigurisht z. Basha i njeh shumë mirë dhe jo pa qëllim i bie pragut “Meta” për të dëgjuar Sali Berisha”. PËr Vasilin ka qenë Berisha që ka ndikuar në vendimin e ERE për uljen e ccmimeve, ndërsa ministri i Ekonomisë në atë kohë i LSI ka kundërshtuar vendimin. “Qëndrimet e Ministrit të Ekonomisë që janë diametralisht të kundërta me atë të zyrtarëve të PD-së në atë kohë dhe tregojnë qartë ndarjen e vullneteve tona se cili ka qenë vullneti ynë politik për çështjen”, tha Vasili.

Qëndrimi, PD: Meta qesharak, të dorëhiqet dhe të hetohet
Partia Demokratike ka kërkuar dje dorëheqjen e Metës nga kryetari i Kuvendit dhe hapjen e rrugës për hetimin e skandalit. “Ilir Meta po prodhon çdo ditë reagime të dëshpëruara që vërtetojnë pozitën e tij të vështirë, nën akuzë për marrje rryshfeti. Provat dhe dëshmitë për skemën e madhe të korrupsionit dhe mashtrimit ku është direkt i përfshirë Ilir Meta, janë bërë publike.

Provat e rryshfetit të tij, janë pjesë e raportit zyrtar që avokatët e qeverisë shqiptare kanë paraqitur në arbitrazhin e Vjenës. Ilir Meta iu imponua kompanisë CEZ, për të kontraktuar mikun e tij Kastriot Ismailaj, edhe kur ishte Ministër i Jashtëm duke bërë negociata private pa pasur asnjë tagër zyrtar, por dhe më pas kur ishte Ministër Ekonomie. Ai loboi fort që Kastriot Ismailaj të merrte miliona euro nga CEZ, dhe natyrisht Ilir Meta kishte pjesën e tij në këto shuma marramendëse”, thuhet në deklaratën e PDs-ë. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Nadal mundet në finale e Swedish Open

Nadal mundet në finale e Swedish Open