Një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka mbërritur në Gaza për t’u njohur me terrenin dhe për të grumbulluar të dhëna rreth zonës ku do të operojnë trupat e saj.
Gjatë kësaj vizite ushtarakët do të bëjë vlerësimin paraprak dhe koordinimin e aktiviteteve të dislokimit për kontigjentin e Forcave të sigurisë që do të operojë në kuadër të misionit paqeruajtës të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare në Gaza.
Delegacioni ka zhvilluar një sërë takimesh dhe diskutimesh me autoritetet kombëtare për administrimin e Gazës dhe ekipet përkatëse, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake, e cila operon nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes.
Drita jeshile për nisjen e ekipit u dha pasi kuvendi i Kosovës miratoi një javë më parë projektligjin, pa asnjë votë kundër e as abstenime.
Më 30 mars 2026, kur Qeveria e Kosovës e miratoi këtë projektligj, kryeministri Albin Kurti tha se FSK-ja është e gatshme të marrë pjesë në këtë Forcë dhe për ta ndihmuar popullin e Gazës, edhe për shkak se vetë Kosova ka qenë përfituese e forcave ndërkombëtare që nga vitit 1999.
Angazhim për dërgimin e trupave në Gaza, në kuadër të Bordit të Paqes, ka ndërmarrë edhe Shqipëria, por një ekip nuk ka shkuar ende atje.
Komente











