Një flotilje e dytë që transporton ndihma humanitare për palestinezët në Gaza pritet të niset të dielën nga porti spanjoll i Barcelonës, në përpjekje për të thyer bllokadën izraelite.
Rreth 30 anije do të nisen nga qyteti mesdhetar të ngarkuara me ndihma mjekësore dhe furnizime të tjera në kuadër të “Global Sumud Flotilla”, ndërsa më shumë mjete lundruese pritet t’i bashkohen përgjatë rrugës drejt Palestinës.
Ushtria izraelite ndaloi rreth 40 anije të mbledhura nga e njëjta organizatë tetorin e kaluar, teksa ato përpiqeshin të arrinin në Gazën e bllokuar, duke arrestuar aktivisten suedeze Greta Thunberg dhe më shumë se 450 pjesëmarrës të tjerë.
Mision për “hapjen e një korridori humanitar”
Izraeli, i cili kontrollon të gjithë hyrjen në Rripin e Gazës, mohon se po pengon furnizimet për më shumë se 2 milionë banorët e saj. Megjithatë, palestinezët dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës thonë se furnizimet që arrijnë në territor mbeten të pamjaftueshme, pavarësisht armëpushimit të arritur në tetor që përfshinte garancinë për rritjen e ndihmave humanitare.
Liam Cunningham, aktori i njohur nga seriali televiziv Game of Thrones, i cili mbështet flotiljen por nuk merr pjesë drejtpërdrejt, i tha Reuters: “Çdo kilogram ndihme në këto anije është një dështim, sepse të gjithë këta njerëz që japin kohën e tyre për të ndihmuar të tjerët po bëjnë atë që qeveritë e tyre janë të detyruara ligjërisht të bëjnë.”
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se edhe gjatë konflikteve të armatosura, shtetet janë të detyruara nga e drejta ndërkombëtare humanitare të sigurojnë që njerëzit të kenë akses të sigurt në kujdes mjekësor.
“Ky është një mision që synon të hapë një korridor humanitar në mënyrë që organizatat e shpërndarjes së ndihmave të mund të arrijnë,” tha Saif Abukeshak, aktivist palestinez dhe anëtar i komitetit organizues të flotiljes.
Aktivistë zviceranë dhe spanjollë në flotiljen e vitit të kaluar thanë se iu nënshtruan kushteve çnjerëzore gjatë ndalimit nga forcat izraelite, një pretendim që u hodh poshtë nga një zëdhënës i ministrisë së jashtme izraelite./Reuters
Komente










