Marrëveshja e ekstradimit/ Yuri Kim: Nuk do të ketë strehë për kriminelët! SPAK dhe BKH janë prioritet për SHBA

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së re të ekstradimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë, ambasadorja Yuri Kim është shprehur se me këtë marrë të re që zëvendëson atë të nënshkruar 87 vite më parë dëshmohet edhe një herë partneriteti gjithnjë e në rritje midis vendeve tona.

"Është një nder i madh të nënshkruajmë këtë Traktat Ekstradimi midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë së Shqipërisë, i cili është dëshmia e fundit për partneritetin gjithnjë në rritje midis kombeve tona. Ky traktat modernizon dhe zëvendëson atë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Shqipërisë, nënshkruar 87 vjet më parë, më 1 Mars 1933 në Tiranë.

Ky Traktat i Ekstradimit siguron një kornizë moderne që do të lejojë Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë të përballen në mënyrë më efektive me sfidat dinamike të paraqitura nga krimi ndërkombëtar. Ky traktat nuk i kufizon më veprat e ekstradueshme në një listë të thjeshtë. Fusha është zgjeruar për të pasqyruar konceptet moderne në luftën kundër krimit dhe natyrën e fortë të marrëdhënies sonë të sigurisë. Ky traktat siguron një armë tjetër të fuqishme për t'i dhënë fund mosndëshkimit të kriminelëve që përpiqen të fshihen pas kufijve.

Nuk do të ketë strehë të sigurt këtu, ose në Shtetet e Bashkuara, për të arratisurit që përpiqen t'i shpëtojnë drejtësisë. Personat e kërkuar për ndjekje penale, ose për mbajtjen e një dënimi, për një vepër ekstraduese do të dorëzohen në kushtet e këtij traktati.

Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol vendimtar në mbështetjen e Shqipërisë në zhvillimin e saj si një partner efektiv, i besueshëm për zbatimin e ligjit Euro-Atlantik. Sa më e efektshme të jetë Shqipëria në ndjekjen penale të krimit ndërkombëtar, aq më e shpejtë do të jetë të jesh një anëtare e plotë e familjes Euro-Atlantike.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë me Shqipërinë dhe të mbështesin përpjekjen e saj për të çuar përpara reformën gjyqësore, pavarësisht nga të gjitha sfidat me të cilat përballet. Përmes programeve tona të sektorit të drejtësisë, ne inkurajojmë dhe mbështesim punën e paçmuar të Prokurorisë Speciale (SPAK) në prioritizimin dhe përqendrimin e burimeve në rastet më të rëndësishme kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe kundër krimit të organizuar. Ne po punojmë gjithashtu me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) në çdo hap të zhvillimit të saj, duke ndihmuar aktualisht në zgjedhjen e më të mirëve nga hetuesit më të mirë përmes një procesi të drejtë, objektiv dhe transparent të punësimit. Ndihma për SPAK-un që të funksionojë plotësisht (si SPAK ashtu edhe BKLH) është një përparësi për Ambasadën Amerikane. Është një proces edhe parakusht për arritjen e rezultateve të dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërsa vlerësoj përpjekjet tona të përbashkëta që çuan në marrëveshjen e sotme, unë besoj se ratifikimi dhe respektimi i angazhimeve të ekstradimit do të jetë në fuqi pa vonesë, dhe mirëpres çdo mundësi për bashkëpunim të gjerë dhe të fuqishëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Partneriteti ynë është i gjatë dhe miqësia jonë është e vazhdueshme", tha Kim.


Lajmi kryesor:

Shqipëri-SHBA marrëveshje të re ekstradimi pas 87 vitesh/ Yuri Kim: Nuk ka strehë për kriminelët! Traktati, pasaportë edhe për rrugëtimin europian


K.T./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja