Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, thotë se marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mund të hyjë në fuqi, nëse nuk publikohet në Fletoren Zyrtare.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi thotë se sipas kushtetutës, asnjë marrëveshje ndërkombëtare që ratifikohet me ligj nuk mund të mbetet sekret.

Botimi në fletoren Zyrtare sipas Bardhit - nuk është një formalitet, por një kusht kushtetues për hyrjen në fuqi dhe zbatimin e saj.

“Pa këtë procedurë, marrëveshja nuk mund të prodhojë pasoja juridike për Republikën e Shqipërisë”, thekson ai.

Marrëveshja me Shteteve të Bashkuara të Amerikës për financimin me rreth 302 milionë dollarë për blerje të pajisjeve dhe sistemeve ushtarake amerikane, u miratua me urgjencë të hënën në Kuvend me 74 votat e mazhorancës.

“Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, asnjë marrëveshje ndërkombëtare që ratifikohet me ligj nuk mund të mbetet sekret. Pas ratifikimit, marrëveshja duhet të botohet e plotë në Fletoren Zyrtare. Vetëm pas botimit ajo bëhet pjesë e sistemit të brendshëm juridik dhe mund të prodhojë efekte ligjore. Në të kundërt, ajo nuk mund të hyjë në fuqi. Kushtetuta (neni 122, pika 1) e përcakton qartë se: “Çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik pasi botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë.”. Kjo do të thotë se botimi nuk është një formalitet, por një kusht kushtetues për hyrjen në fuqi dhe zbatimin e marrëveshjes. Pa këtë procedurë, marrëveshja nuk mund të prodhojë pasoja juridike për Republikën e Shqipërisë. Prandaj, lind një pyetje legjitime: kë po përpiqen të mashtrojnë? Deputetët, qytetarët shqiptarë apo partnerin strategjik të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Ajo që është e padiskutueshme në këtë moment është se marrëveshja duhet të botohet e plotë në Fletoren Zyrtare për të fituar fuqi ligjore, në përputhje me kërkesat e Kushtetutës” tha Bardhi në deklaratën e tij.