Bashkia e Memaliajt ka shprehur gatishmërinë për të strehuar emigrantët që pritet të vijnë në vendin tonë nga marrëveshja me Italinë.

Kryebashkiaku i Memaliajt Albert Malaj, i zgjedhur nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” i ka dërguar një letër-propozim kryeministrit Edi Rama për strehimin e refugjatëve në territorin e bashkisë që ai drejton.

Në një reagim për Report TV, Malaj bën me dije se në letër i ka ofruar kryeministrit dy lokacione që të jenë të përshtatshme për strehimin e refugjatëve. Lokacioni i parë është ndërtesa dy katëshe e ish-shkollës 8 vjeçare të Memaliajt e cila sot e kësaj ditë është e papërdorshme, ndërsa lokacioni i dytë është ish spitali i Memaliajt, një godinë tre katëshe. 

Sipas Malajt, tek të dyja ndërtesat që ndodhen në brendësi të qytetit, duhet fillimisht të investohet që të jenë të përshtatshme për t’u akomoduar refugjatët, e ndërsa  nënvizon se bashkia nuk ka kapacitet financiar për ta bërë një gjë të tillë. Malaj ka kërkuar vlerësimin e kushteve akomoduese dhe investuese nga qeveria.

Kapaciteti total akomodues vlerësohet të jetë për 1000 persona. Kryebashkiaku i Memaliajt shprehet se këtë iniciativë dhe vetë-ofrim për strehimin e refugjatëve, e ndërmori bazuar në eksperiencën e tij personale pasi si ish ushtarak që ka shërbyer në FA të Shqipërisë në misionet jashtë vendit si në Afganistan apo dhe zona të konflikte, ka përballuar dhe menaxhuar flukse të tilla refugjatësh. Ndërkaq Memaliaj, siç thotë ai ka eksperiencën e saj pritëse dhe akomoduese që prej vitit 1999 kur ka pritur me mijëra kosovarë në kohën e luftës.

Më herët edhe Kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Hil Curri i ka shpreh gatishmërinë që të presë në bashkinë që drejton refugjatët që pritet të mbërrijnë në vendin tonë pas marrëveshjes të nënshkruar me Italinë.

Letra e kryebashkiakut të Memaliajt  për Edi Ramën
Letra e kryebashkiakut të Memaliajt  për Edi Ramën