Për herë të tretë, Gjykata e Apelit në Romë ka vendosur që emigrantët e paligjshëm në kampin në Gjadër, të kthehen në Itali. Vendimi, i cili detyron dërgimin në Itali të 43 emigrantëve që ndodhen aktualisht në Lezhë, u mor gjatë mbrëmjes së premtes (31 janar 2025). Kështu, të gjithë 43 emigrantët që u sollën në Shqipëri do të kthehen nesër (1 shkurt 2025) në Itali. 

Gjyqtarët që ishin ngarkuar me shqyrtimin e dosjeve të çdo emigranti kanë vendosur të shprehin mendim negativ ndaj rikthimit, siç parashikohet në procedurën e miratuar nga qeveria.

Të gjitha këto ndodhin në pritje të një vendimi të Gjykatës Evropiane që do të shprehet përfundimisht në lidhje me çështjen e vendeve të sigurta më 25 shkurt.

Ndërkohë, vendimi i fundit i Kasacionit kishte caktuar qeverinë si organin kompetent për të vendosur mbi këtë çështje, duke lënë gjithashtu mundësinë që gjykatësit të vendosin rast pas rasti se çfarë është e drejtë. 

Riaktivizimi i marrëveshjes Itali-Shqipëri erdhi pas një pauze rreth dy muajsh. Në dy rastet e mëparshme emigrantët u kthyen mbrapsht për shkak të vendimeve të Gjykatës në Romë, e cila vendosi po ashtu edhe sot kthimin e tyre.