Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për “The Economist", ka folur rreth mospajtimeve që ka pasur me këshilltarin e Donald Trump, Richard Grenell, për modalitetet e heqjes së taksës dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai ka deklaruar se me Grenell ka rënë dakort, pasi duhet pasur një marrëveshje me Serbinë dhe se duhet një energji e re.

“Më akuzojnë se jam anti-amerikan. U pajtova me Grenellin se marrëveshja me Serbinë është e domosdoshme dhe që energjia e re është e nevojshme, por më pas kur erdhi puna tek përmbajtja e marrëveshjes ne i patëm këto dallime. Nuk e kam konsideruar që ky dallim do të jetë i rëndësisë së madhe, por ashtu doli”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për presidentin Hashim Thaçi, për të cilin thotë se çdo ditë e më shumë është një politikan në vend të një figure ceremoniale siç duhet të jetë një president në një Republikë Parlamentare.

Më tej Kurti ka thënë se Thaçi po sillet si një prej liderëve kryesorë të opozitës.

“Po sillet çdo ditë si njëri prej liderëve të opozitarëve. Pra çdo ditë gjen arsye për të më sulmuar mua”, ka përfunduar Kurti.

Albin Kurti ka refuzuar në mënyrë të vazhdueshme thirrjen e Washingtonit për heqje të taksës pa vendosur kushte të tjera shtesë.

Një qasje e tillë ka rezultuar me një mocion mosbesimi të organizuar nga partneri i koalicionit që rrëzoi Kurtin. Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk dëshirojn të qëndrojë në një qeveri anti-amerikane.