/ATSH/.-Delegacioni i Republikës së Kosovës në bisedimet Kosovës-Serbi, për sistemin e drejtësisë, gjatë një konference të përbashkët për shtyp të mbatjur sot në Prokurorinë e Shtetit, e cilësoi marrëveshjen për drejtësi të bazuar në ligjet e Kosovës.
Pjesëmarrës të kësaj konference ishin ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe kryetari i Gjykatës së Apelit Sali Mekaj.
Këshilli Prokurorial i Kosovës në njoftimin e sapodërguar bën të ditur se, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, njoftoi të pranishmit se është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, për sistemin e drejtësisë në Bruksel.
Ai tha se "nënshkrimin e kësaj marrëveshje e konsiderojnë si një arritje të këtyre bisedimeve. Ju e dini të gjithë se pjesa veriore ka qenë me sistem të drejtësiaë paralele, ndërsa tani e tutje nuk do të jetë me paralele, por do të ketë një sistem unik të drejtësisë edhe në atë pjesë të Kosovës".
Hoxha theksoi se "kemi arritur marrëveshje që Kryetari i Gjykatës Themelore të jetë i komunitetit serb, ndërsa Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të jetë shqiptar".
Sipas tij, selia e gjykatës dhe e prokurorisë do të jenë të vendosura në pjesën veriore të Kosovës.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Sylë Hoxha, tha se "prokurorët dhe gjyqtarët nga komuniteti serb që do të zgjidhen, do të punojnë në sistemin unik të drejtësisë së Kosovës, me ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe do t'iu nënshtrohen procedurave të përzgjedhjes sikurse gjithë prokurorët dhe gjyqtarët vendorë dhe emërimi final i tyre do të jetë nga Presidenti i Republikës së Kosovës".
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se "ne kemi pasur pesë qëllime në këtë marrëveshje. Qëllimi i parë ka qenë që të ruhet sistemi i Drejtësisë në Kosovë. Qëllimi i dytë ka qenë që Gjykata në atë pjesë të territorit tonë dhe gjyqtarët qoftë shqiptarë apo serb t'i zbatojnë ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës, dhe në këtë marrëveshje theksohet që të respektohen ligjet e Republikës së Kosovës. Qëllimi i tretë ka qenë që të respektohet hierarkia e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës në propozimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe në disiplinimin e tyre dhe rolin e Presidentes në dekretimin e tyre".
"Qëllimi i katërt ka qenë që çdo zgjidhje në këtë marrëveshje të arrihet brenda ligjeve dhe Kushtetutës tonë. Dhe ne garantojmë që me këtë marrëveshje asnjë ligj i vendit tonë, asnjë pikë e Kushtetutës nuk ka nevojë që të ndryshohet, pra marrëveshja është brenda tyre. Si dhe qëllimi i pestë ka qenë integrimi i asaj pjese të veriut, respektivisht i atyre njerëzve që kanë punuar në gjykatë dhe prokurori paralele, në kuadër të sistemit tonë", u shpreh Kuçi.
Implementimi i kësaj marrëveshje, vijoi ai, pritet të ndodhë menjëherë, ndërsa, për prokurorët, gjyqtarët dhe stafin mbështetës shumë shpejt do të shpallen konkurset dhe do të aplikojnë përmes procedurave të parashikuara.
Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, tha se "qëllimi i këtij delegacioni ka qenë që të sigurohet një Gjykatë Themelore dhe Prokurori Themelore, ashtu siç është parashikuar me ligjet e zbatueshme. Në vazhdimësi ne kemi pretenduar që të ruhet tërësia e sistemit gjyqësor, uniteti i sistemit gjyqësor, ashtu siç është parashikuar me dispozitat e Kushtetutës dhe ligjit".
Ish-kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, deklaroi se është arritur një sistem unik juridik, i pandarë në vija etnike, zbatim i ligjeve penale të Kosovës rekrutim i prokurorëve dhe gjyqtarëve sipas dispozitave të parashikuara për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, disiplinim i tyre. Kabashi, po ashtu potencoi se ka pasur tendenca që gjykata dhe prokuroria të ndahen në vija etnike, por ajo është evituar dhe në të gjitha ndërtesat do të ketë gjyqtarë, prokurorë dhe staf mbështetës të të gjitha nacionaliteteve, apo kombeve që jetojnë në pjesën veriore të dhe pjesën jugore të Mitrovicës, si dhe në komunat si Skenderaj, Vushtrri, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçan.
Po ashtu, lidhur me marrëveshjen e nënshkruar për drejtësinë mes Kosovës dhe Serbisë foli edhe kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj.