Marrëveshja PS-qeveri, ministrat në
terren, drejtorët llogari para popullit

Marrëveshja PS-qeveri, ministrat në<br />terren, drejtorët llogari para popullit
Çdo anëtar i qeverisë ‘Rama 2’ duhet të zbarkojë një herë në vit në secilin nga 12 qarqet, për të biseduar me qytetarët dhe inspektuar ofrimin e shërbimeve sipas fushës së përgjegjësisë, ndërsa i gjithë kabineti qeveritar do të mblidhet detyrimisht një herë në vit në çdo qark.

Kështu parashikon marrëveshja mes grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe qeverisë ‘Rama 2’, e miratuar gjatë mbledhjes së djeshme të grupit të PD. Marrëveshja parashikon gjithashtu që çdo ministër së bashku me deputetet e qarkut, zhvillojnë dëgjesa me drejtuesit dhe punonjësit e institucioneve sipas sektorëve. Në përfundim të raportimit, të deleguarit hartojnë një raport sa i takon nivelit të përmbushjes së detyrave dhe pritshmërive. 

Ndërkaq, do të jenë koordinatorët ata të cilët do të hartojnë një raport të përgjithshëm, mbi bazën e raportit të përgatitur nga i deleguari për çdo qark. Këto raporte do të jenë vendimtare jo vetëm për fatin e drejtorëve, por edhe të ministrave. Marrëveshja, përpos të tjerave, synon të forcojë më tej lidhjen me anëtarësinë socialiste dhe familjet e zakonshme si dhe për të ndëshkuar çdo zyrtar që shkel të drejtën e qytetarëve.

Sipas marrëveshjes, grupi i PS cakton dy persona që kujdesen për marrëdhënien mes deputetëve dhe ministrave. Pakti parashikon edhe caktimin e një ndërmjetësimi për komunikimin me opozitën për të gjetur konsensus për reformat me rëndësi të veçantë për vendin. Gjithashtu, parashikohet ngritja e një komisioni që mbikëqyr sjelljen dhe qëndrimin e secilit në raport me zgjedhësit dhe kolegët.

Marrëveshja ndërmjet grupit të PS dhe qeverisë ‘Rama 2’

Angazhimet e palëve

Palët angazhohen që:

1)  Të bashkëpunojnë pa ndërprerje për të rritur cilësinë e procesit demokratik dhe bashkëjetesës politike, në Kuvendin e Shqipërisë e jashtë tij;

2)   Për të zgjeruar bazën e shumicës qeverisëse në komunikim e bashkëpunim të vazhdueshëm me qytetarët në çdo komunitet;

3)   Për të ruajtur dhe forcuar më tej lidhjen me elektoratin dhe anëtarësinë socialiste;

4)   Për t´iu përgjigjur në kohë e me cilësi shqetësimeve, kërkesave e ankesave të njerëzve dhe familjeve të zakonshme;

5)   Për të vendosur përpara përgjegjësisë në kohë reale çdo zyrtar që identifikohet në shkelje të së drejtës së qytetarit për të marrë një shërbim, apo rezulton në shkelje të etikës në shërbim të publikut;

6) Për të dekurajuar çdo formë nepotizmi e klientelizmi partiak në emërime dhe për të reaguar vendosmërisht ndaj çdo rasti, kur konstatohen këto fenomene;

7)  Për të ruajtur e forcuar kohezionin e brendshëm, duke fuqizuar debatin e brendshëm nga njëra anë dhe nga ana tjetër duke konsoliduar parimin e qëndrimit të unifikuar;

8)  Për të kontribuar në nivel kolektiv e indivual, në ushqimin e një klime besimi, respekti e mirëkuptimi reciprok; Të mbështesin nismat ligjore dhe reformat e qeverisë;

9)  Për t’iu përgjigjur me përkushtim njerëzor, seriozitet profesional dhe integritet politik, në nivel kolektiv e individual, detyrimeve të kësaj marrëveshjeje.

Fusha e bashkëveprimit

a)  Zhvillimi i debatit politik e parlamentar, duke e orientuar axhendën politike në çështje me interes publik dhe duke u angazhuar në mënyrë konstruktive, etike e të hapur me opozitën parlamentare;

b)  Garantimi i komunikimit të vazhdueshëm mes palëve dhe unifikimi konstant i qëndrimit dhe mesazhit publik të forcës sonë politike;

c)  Organizimi i përbashkët dhe koordinimi mes palëve për realizimin e dëgjesave dhe konsultimeve publike;

d)  Zhvillimi i diskutimeve paraprake në kuadër të përgatitjes së projektligjeve dhe projektbuxhetit të shtetit;

e)  Dakordësimi paraprak me çdo ministër a ministre për aktet legjislative dhe sigurim i pranisë së anëtarëve të kabinetit sa herë që thirren nga komisioni përkatës parlamentar;

f) Organizimi i seancave të përbashkëta përgatitore mbi strategjinë e mbrojtjes së qëndrimeve në komisionet parlamentare, si edhe mbi strategjinë e komunikimit e të veprimit në seancat parlamentare;

g)  Diskutime paraprake mbi nismat e reja ligjore dhe ndërmarrja e nismave të përbashkëta ligjore apo qytetare, si dhe trajtimi i çështjeve me rëndësi që rezultojnë nga platformat e takimet e përcaktuara në këtë marrëveshjeje apo nga dëgjesat e konsultimet publike;

h)  Garantimi i transparencës dhe aksesit të plotë të qytetarëve që kërkojnë informacion nga shteti.

3)  Takimet me bazë qarku

i. Çdo ministër/ministre, brenda një viti, duhet të vizitojë të paktën një herë secilin qark të vendit, në bazë të një kalendari aktivitetesh të kërkuara apo dakordësuara me deputetët e qarkut, me fokus inspektimin e njësive të ofrimit të shërbimeve për qytetarët, në fushën e përgjegjësisë së tyre. Gjithashtu, çdo ministër/ministre duhet të njoftojnë deputetët për pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet publike, si dhe vizitat në terren që organizohen në qarqe nga ministri/ministrja përmes Sekretariatit të Përbashkët.

ii. Për të siguruar Qeverisjen në Koalicion me Qytetarët, i deleguari i qarkut organizon me çdo ministër/ministre dhe së bashku me deputetet e qarkut mbledhje dhe dëgjesa me:

drejtuesit dhe punonjësit e institucioneve sipas sektorëve; përfaqësuesit e pushtetit vendor në qark; komunitetin, në përfundim të të cilave koordinatorët hartojnë raportin e përgjithshëm, mbi bazën e raportit të përgatitur nga i deleguari për çdo qark; konsultime të përbashkëta publike, në pararendje të çështjeve me interes të veçantë për publikun, të cilat mund të priten të shqyrtohen nga qeveria dhe kuvendi. Në këto takime diskutohen dhe identifikohen çështje me rëndësi për zhvillimin e qarkut përkatës, nisma pilot apo modele, praktika të mira të qarkut, mundësi zhvillimi, nevoja të ndryshme apo të ngutshme, probleme që duhet të marrin zgjidhje për qarkun. Prioritetet dhe nevojat e ndryshme apo më të ngutshme, të identifikuara si më sipër, paraqiten si rekomandime edhe për Komitetin e Planifikimit Strategjik dhe atë të Zhvillimit të Rajoneve, për t’u marrë në konsideratë gjatë përgatitjes së prioriteteve të programit buxhetor dhe programit operacional të zhvillimit lokal dhe rajonal, si dhe i paraqiten takimit të Kryeministrit me deputetët mbi bazë qarku.

iii. Në takimin mes Kryeministrit dhe deputetëve mbi bazë qarku diskutohen çështje të anëtarësisë së partisë, si dhe çështje me rëndësi për qytetarët e për komunitetet, të cilat janë identifikuar nga deputetë të veçantë apo përmes dëgjesave dhe takimeve si më sipër etj., për çdo qark, në mënyrë specifike. Në këtë takim dakordësohen edhe çështjet kryesore që do të shqyrtohen a miratohen në mbledhjen e qeverisë në çdo qark, si më poshtë. Takimi zhvillohet çdo muaj, si dhe sa herë të jetë e nevojshme. Në këtë takim merr pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

iiii. Gjatë një viti, qeveria mblidhet detyrimisht një herë në çdo qark. Përveç mbledhjes së qeverisë, anëtarët e kabinetit së bashku me deputetët e qarkut zhvillojnë mbledhje e dëgjesa me drejtuesit dhe punonjësit e institucioneve sipas sektorëve, takime me komunitetin, si edhe me përfaqësuesit vendorë në qark. Edhe Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve organizon një herë në vit një mbledhje të dedikuar për çdo qark, ku analizohen çështjet e lidhura me zhvillimin e qarkut përkatës, projektet, nevojat, potencialet për zhvillim. Për sa më sipër krijohet baza e të dhënave dhe informacionit mbi bazë qarku, si dhe Karta e Çështjeve për Qeverisjen mbi bazë qarku (qeverisja territoriale).

4) Takimi i kryetarëve

Për të koordinuar marrëdhënien në nivel të lartë, zhvillohet periodikisht takimi i kryetarëve. Në takim diskutohen çështjet e rëndësishme politike dhe parlamentare, funksionimi i marrëdhënieve, si dhe fokuset e veprimtarisë për periudhën pasardhëse. Takimi zhvillohet të paktën një herë në muaj, si dhe sa herë është e nevojshme.

Në takimet periodike të kryetarëve marrin pjesë:

–     Kryeministri

–     Kryetari i Kuvendit

–     Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste

–     Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste

–     Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave

Organizimi i takimit të kryetarëve kurohet nga koordinatorët, me mbështetjen e Sekretariatit të Përbashkët. Në takimet e kryetarëve mund të marrin pjesë me ftesë edhe koordinatorët.

 

5) Komisioni i Etikës

Me propozim të Kryeministrit, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar, si dhe me miratim të deputeteve krijohet Komisioni i Etikës. Ky komision:

a. Mbikëqyr zbatimin e kësaj marrëveshjeje;

b. Mbikëqyr sjelljen dhe qëndrimin e secilit në raport me zgjedhësit dhe kolegët;

c. Shqyrton çdo kërkesë apo ankesë të natyrës etike të anëtarit/anëtarëve të Grupit, qeverisë apo Partisë Socialiste, në raport me një apo më shumë pjesëtarë të grupit parlamentar apo kabinetit qeveritar.

 

Komisioni i referohet:

a. Kësaj marrëveshjeje;

b. Statusit të deputetit (ligjit);

c. Rregullores së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, si dhe dokumentit “Roli i Deputetit të GPS në zonën zgjedhore që mbulon dhe punën parlamentare”;

d. Kodit të Etikës së Këshillit të Ministrave.

Komisioni shqyrton çështjet rast pas rasti, me kërkesë të palëve dhe ose mbi bazën e raporteve periodike, ku identifikohen çështje të marrëdhënieve në këtë marrëveshje.

 

6)   Takimi i Kryeministrit me kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat

Në takimin mes Kryeministrit, kryetarëve të Komisioneve Parlamentare dhe ministrave diskutohet ecuria e nismave ligjore specifike sipas fushave, vështirësitë, pritshmëritë, si dhe taktikat dhe zgjidhjet e mundshme. Takimi zhvillohet çdo javë, si dhe sa herë të jetë e nevojshme.

 

7) Takimi i Kryeministrit me anëtarët e grupit parlamentar dhe ministrat

Në takimin mes Kryeministrit, anëtarëve të Grupit Parlamentar dhe ministrave diskutohet strategjia e seancës parlamentare. Takimi zhvillohet çdo javë, si edhe sa herë të jetë e nevojshme. Një herë në muaj gjithashtu, grupi parlamentar zhvillon në mbledhjen e tij të radhës seancë të lirë pyetje-përgjigje me ministrat.

 

Bashkëveprimi me deputetin

Në bazë të ligjit për statusin e deputetit, si dhe kësaj marrëveshjeje, është përgjegjësi e çdo ministri/ministreje të përmbushë dhe e Komisionit të Etikës të mbikëqyrë plotësimin e kushteve të nevojshme për ushtrimin e të drejtave të deputetit dhe procedurave sipas statusit të deputetit. Çdo deputet ka të drejtë të njoftojë koordinatorët e marrëveshjes për rastet kur nuk janë përmbushur kushtet për të ushtruar të drejtat e deputetit si më sipër. Në rast mosveprimi të përsëritur, njoftohet Komisioni i Etikës dhe takimi i kryetarëve.

 

Trajtimi i kërkesave të deputetëve

Për të forcuar llogaridhënien e përgjithshme të qeverisë, kërkesat e deputeteve në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike, cilësisht dhe sipas zonës, paraqiten tek Kryetari i Grupit Parlamentar. Ato u përcillen për t’u ndjekur dhe trajtuar përmes Sekretariatit të Përbashkët, ministrit/ministres dhe/ose Kryetarit të Bashkisë sipas rastit.

 

Trajtimi i kërkesave nga anëtarësia e partisë/qytetarët

Kërkesat/ankesat mblidhen dhe regjistrohen nga kryetarët e organizatave, të cilët ia përcjellin kërkesat dhe ankesat nga takimet me anëtarët dhe qytetarët Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, të cilat, përmes Sekretariatit të Përbashkët që i regjistron ato, i komunikohen ministrit/ministres dhe/ose Kryetarit të Bashkisë, sipas rastit, për t’i trajtuar dhe ndjekur ato. Sekretarit të Partisë i paraqiten edhe kërkesa/ankesa të mbledhura nga takimet mbi bazë qarku dhe dëgjesat si më sipër.

 

Raporti vjetor i kërkesave/ankesave

Në fund të çdo viti hartohet një raport vjetor i kërkesave/ankesave, si dhe bëhet analiza mbi sa dhe si janë adresuar ato. Raporti hartohet nga Sekretariati i Përbashkët, që mban edhe të dhënat rregullisht për to dhe i drejtohet koordinatorëve.

 

Hartues i qëndrimeve strategjike

Palët caktojnë një hartues të qëndrimeve strategjike. Ky rol konsultohet në vazhdimësi me palët në takimet periodike sektoriale, si dhe koordinatorët.

Hartuesi i qëndrimeve strategjike harton deklaratat e pozicionit, të cilat shërbejnë si udhërrëfyes për palët, në punën dhe në qëndrimet e tyre.

Hartuesi i qëndrimeve strategjike caktohet nga Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryetari i Grupit Parlamentar.

 

Organizatorët e Debatit

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste cakton personat të cilët hulumtojnë mbi çështjet për debatim a për kundërdebatim, si dhe deputetët të cilët do mbrojnë në debat pozicionin e partisë. Pranë Kryetarit të Grupit Parlamentar shërbejnë dy këshilltarë, të cilët ndihmojnë debatuesit apo kundërdebatuesit në përgatitjen e seancës së debatit.

Ndërtuesit e konsensusit

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste cakton personat që punojnë për ndërtimin e konsensusit parlamentar, si edhe për kuorumet e nevojshme për aktet legjislative. Ky rol synon që aktet të marrin mbështetje sa më të gjerë, si dhe garanton kuorumin e nevojshëm për nismat tona ligjore.

Kujdestarët e marrëdhënieve brenda grupit dhe me anëtarët e kabinetit

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste cakton dy persona, të cilët kujdesen që marrëdhëniet e brendshme mes deputetëve dhe me anëtarët e kabinetit të jenë të ngrohta e miqësore.

Ndërmjetës/komunikues me opozitën

Palët bien dakord të caktojnë persona si ndërmjetës/komunikues me opozitën. Ky rol koordinon me palët, për të hapur linja dialogu me opozitën. Ky rol synon që reformat e mëdha dhe me rëndësi të veçantë për vendin të marrin konsensusin e gjerë të deputetëve të kuvendit dhe në publik.

Ndërlidhësi komunitar

Kryetari i organizatës luan njëkohësisht rolin e ndërlidhësit të komunitetit. Ndërlidhësi komunitar mbledh dhe transmeton kërkesa/ankesa dhe problematikat e ngritura nga anëtarësia dhe qytetarët. Ndërlidhësi komunitar mbështet të deleguarin e qarkut për organizimin e dëgjesave publike, për të zhvilluar koalicionin me qytetarët. Ndërlidhësi social Palët caktojnë persona si ndërlidhës socialë, të cilët shërbejnë si ndërlidhës mes tyre dhe grupeve të ndryshme sociale, shoqërisë civile dhe zonës “gri”. Ky rol synon të afrojë sa më shumë grupet sociale me qëndrimet dhe nismat e palëve.

Filtruesit e kandidaturave

Filtruesit e kandidaturave caktohen sipas nevojës për hulumtimin e kandidaturave për detyra dhe pozicione ku kuvendi ka rol në propozim dhe miratim.

 

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, QSUT: Të pavërteta! Po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, QSUT: Të pavërteta! Po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor