Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj pretendimit të Serbisë, e cila e quajti një veprim kërcënues nënshkrimin e marrëveshjes për mbrojtje midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Osmani foli pas një ngjarje të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Presidentja e quajti propagandë pretendimin, teksa deklaroi se Serbia bën vazhdimisht të njëjtën gjë.
Gjatë fjalës së saj, Osmani tha në fakt Serbia është një burim destabiliteti në rajon. Sipas saj, Serbia po gënjen, sepse nuk ka asnjë të vërtetë në atë që e kanë thënë dhe s’ka asnjë rrezik për ta.

“Marrëveshja trilaterale midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë synon pikërisht këtë që t’i ndihmojmë njëra tjetrës për t’i ngritur kapacitetet e mbrojtjes. Pra, për ta mbrojtur veten dhe asnjëherë për ta sulmuar dikë dhe në të një kohë bashkëpunimin ndërmjet shteteve aleate që e kanë dëshmuar që janë besnike ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe parimit të fqinjësisë së mirë, në të drejtën ndërkombëtare, por po ashtu në praktikën e NATO-s.
Ka shumë shtete që janë anëtare të NATO-s, por nënshkruajnë marrëveshje bilaterale ose traktate me shtetet e tjera…Është një praktikë që ndodhë tërë kohën brenda shteteve të NATO-s që besojë në vlerat e njëjta. Serbia si shtet që nuk beson në ato vlera, por që i sulmon vazhdimisht, del me propagandë se kinse qenka shkelur një marrëveshje e vitit 1996.
Por, kushdo që e lexon atë marrëveshje, e vëren një gjë, që Serbia po e bënë të njëjtën që e ka bërë gjithmonë, pra po gënjen, sepse nuk ka asnjë të vërtetë në atë që e kanë thënë dhe s’ka asnjë rrezik për ta. Ekziston veç një burim destabiliteti në rajon, e ajo është Serbia”, tha Osmani.
Marrëveshja trepalëshe midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, u nënshkrua më 18 mars, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Kjo marrëveshje synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta.
Komente

