Bashkia Lezhë dhe Komuna e Spoletos në Itali do të bashkëpunojnë në disa fusha si turizmi, kultura, arsimi dhe zhvillimi ekonomik. Marrëveshja e binjakëzimit mes tyre u nënshkrua nga kryetarët e këtyre njësive vendore, Pjerin Ndreu dhe Andrea Sisti, përmes një ceremonie të zhvilluar në Lezhë.
Gjatë takimit, palët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave dhe promovimit të vlerave të përbashkëta historike dhe kulturore. Lezha dhe Spoleto do të punojnë së bashku për të zhvilluar projekte konkrete që do të sjellin përfitime për komunitetet lokale.
"Për ne është kënaqësi që bashkë kemi ardhur në këtë hap për binjakëzimin e dy njësive vendore të Lezhës dhe Spoleto-s. Rëndësia e këtij bashkëpunimi në formën e binjakëzimit është e madhe sepse Italia gjithmonë, ka qenë, dhe mbetet një nga vendet më mike që kemi. Italia ka qenë gjithmonë në krahun e mbështetjes së integrimit të Shqipërisë, dhe është një nga vendet ku integrimi i shqiptarëve është i jashtëzakonshëm. Spoleto ka dhënë dhe vazhdon të japë një mbështetje të jashtëzakonshme për emigrantët shqiptarë. Ne kemi ccfarë shkëmbejmë sa i përket historisë, kulturës, turizmit, ekonomisë, zhvillimit lokal” tha Pjerin Ndreu, Kryetar i Bashkisë Lezhë.
“Kjo iniciativë ka filluar prej dy vitesh dhe ky është një hap mjaft i rëndësishëm mes nesh. Në komunën tonë ka shumë shqiptarë që kanë krijuar sipërmarrje të suksesshme dhe kjo pikërisht ka qenë një nga arsyet që e kemi ndërmarrë këtë iniciativë. Kjo është një mënyrë që italianët dhe shqiptarët të investojnë në zonat respektive të Lezhës dhe Spoletos” tha Andrea Sisti, Kryetar i Komunës Spoleto në Itali.
Kjo marrëveshje pritet të pasohet nga një sërë aktivitetesh dhe projektesh konkrete në të ardhmen, duke kontribuar në rritjen e vizibilitetit ndërkombëtar të Lezhës dhe në forcimin e lidhjeve me partnerë evropianë.
Komente










