ITALI - Cristian Chivu do të vazhdojë aventurën e tij në stolin e Interit. Trajneri rumun dhe drejtuesit zikaltër kanë arritur marrëveshjen për zgjatjen e kontratës deri në verën e vitit 2028, duke konfirmuar besimin e plotë të klubit ndaj projektit të tij.
Sipas raportimeve, marrëveshja e re parashikon edhe një përmirësim të ndjeshëm financiar për teknikun, i cili do të përfitojë rreth 4 milionë euro në sezon.
Megjithëse nënshkrimi zyrtar dhe komunikimi nga klubi ende nuk kanë ardhur, gjithçka konsiderohet e mbyllur. Njoftimi pritet të bëhet në ditët në vijim, me shumë mundësi nga presidenti i Interit, Beppe Marotta, gjatë Festivalit të Serie A që po zhvillohet në Parma.
Chivu mbërriti në ambientet e klubit për të finalizuar detajet e fundit të kontratës së re, si edhe për të diskutuar me drejtuesit strategjinë e merkatos për sezonin e ardhshëm.
Rinovimi i kontratës ishte një hap i pritshëm pas sezonit të shkëlqyer të zhvilluar nga trajneri rumun, i cili në vitin e tij të parë në krye të skuadrës arriti të udhëheqë Interin drejt fitimit të titullit kampion dhe Kupës së Italisë.
Komente







