Një udhëtim nga Kanadaja drejt Shqipërisë, gjatë verës së këtij viti, është kthyer në një makth për Kristian Gjonin, 34-vjeçarin shqiptar që jeton në Toronto. Në një valixhe që iu atribuua atij në Aeroportin e Rinasit, autoritetet zbuluan 23.15 kilogramë kanabis, ndërsa tashmë ai përballet me akuza të rënda dhe rrezikon deri në 15 vite burg.
Gjoni pretendon se nuk kishte dijeni për drogën e gjetur në bagazh dhe se është bërë viktimë e një skeme të ndërrimit të etiketave të valixheve. Sipas raportimit të Daily Mail dhe dëshmisë së tij ai kishte udhëtuar drejt Shqipërisë së bashku me bashkëshorten Adriana për të vizituar familjarët. Çifti ishte gjithashtu në pritje të fëmijës së tyre të parë dhe synonte të ndante këtë lajm të gëzueshëm me familjen.
Problemet nisën menjëherë pas mbërritjes në Rinas, kur punonjësit e doganës konstatuan se njërit prej katër bagazheve u mungonte etiketa identifikuese. Pas më shumë se dy orësh verifikimesh dhe marrjesh në pyetje, Kristianit iu kërkua të shkonte te rripi i bagazheve dhe të merrte një valixhe që kishte mbetur aty.
Ai këmbënguli se valixhja nuk ishte e tija, por situata mori një tjetër rrjedhë kur autoritetet e hapën dhe zbuluan sasinë e madhe të kanabisit. "Unë nuk jam punonjës i aeroportit... Si mund ta dija?", kujton Gjoni përgjigjen që u kishte dhënë efektivëve.
Pas arrestimit, 34-vjeçari kaloi katër ditë në izolim, në një qeli pa dritare, ndërsa përballej me akuzat për trafik ndërkombëtar droge.
Sipas Kristian Gjonit, bëhet fjalë për një skemë kriminale përmes së cilës etiketat identifikuese të udhëtarëve hiqen nga bagazhet e tyre dhe vendosen në valixhe të tjera që përmbajnë drogë. Në këtë mënyrë, në rast se lënda narkotike zbulohet gjatë kontrollit, dyshimet bien mbi pasagjerin në emrin e të cilit rezulton bagazhi.
Ai tregon se kishte fotografuar valixhet përpara udhëtimit, pasi ishte në dijeni të paralajmërimeve të autoriteteve kanadeze për këtë mënyrë trafikimi. Megjithatë, sipas tij, edhe fotografitë u kthyen në objekt dyshimi gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet shqiptare.
Ngjarja u shoqërua edhe me një tjetër tragjedi për familjen. Bashkëshortja e tij, Adriana, e cila ishte shtatzënë, përfundoi në spital me dhimbje të forta dhe më pas pësoi abort spontan. Gjoni beson se situata e krijuar nga arrestimi dhe stresi i përjetuar ndikuan në humbjen e foshnjës.
"Ne ende nuk e kemi kaluar këtë që ndodhi. Nuk besoj se do ta kalojmë ndonjëherë plotësisht", është shprehur ai.
Pas katër ditësh në izolim, Gjoni u lirua me kusht dhe u lejua të kthehej në Toronto, por me detyrimin që të paraqitet periodikisht pranë autoriteteve shqiptare. Fillimisht ai duhej të paraqitej çdo muaj, ndërsa më vonë ky detyrim u lehtësua në një herë në katër muaj.
Për mbrojtjen e tij ligjore ka angazhuar avokatin Ndue Pjetra, i cili po përpiqet të provojë se klienti i tij nuk ka pasur dijeni për drogën e gjetur në valixhe.
Sipas Daily Mail kanë deklaruar se janë të bindura për versionin e ngjarjeve të treguar nga Gjoni. Megjithatë, çështja mbetet ende e hapur në Shqipëri dhe 34-vjeçari pritet të përballet me gjyqin në fillim të vitit 2027, ku rrezikon një dënim deri në 15 vite burg.











Komente
Komento