Marrëveshjet Kosovë - Serbi, Escobar: Detyrim ligjor për ti zbatuar, nënshkrimi ose jo nuk ndikon

Marrëveshjet Kosovë - Serbi, Escobar:  Detyrim ligjor për ti zbatuar, nënshkrimi ose jo nuk ndikon

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar i tha Zërit të Amerikës se marrëveshjet që Serbia dhe Kosova kanë arritur janë një detyrim ligjor për të dyja palët dhe se nënshkrimi ose jo i tyre, nuk ndikon në detyrimin që ato kanë për t’i zbatuar ato.

Në takimin e fundit me udhëheqësit evropianë në Bruksel, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë projektstatutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Presidenti serb Aleksandar Vuçiç bëri të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës.

I pyetur se si do të vazhdohet më tej pas këtyre qëndrimeve, zoti Escobar tha se këto dy deklarata nuk pasqyrojnë realitetin pasi ato marrëveshje janë të ligjërisht të detyrueshme, gjë që të dy udhëheqësit e kanë pranuar sikurse tha ai.

Po kështu ai tha se të dy udhëheqësit e kanë marrë këtë angazhim përpara Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe se palët kanë detyrime specifike për të ndërmarrë, në rrugën drejt normalizimit; Kosova Asociacionin dhe Serbia njohje e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera si këto, tha zoti Escobar.

Zyrtari amerikan tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun dhe se ajo që ka mbetur lidhet vetëm me kohën dhe mënyrën se si do t’i zbatojnë të dyja palët detyrimet.

Dorëheqja e Shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit

I pyetur lidhur me dorëheqjen sot të shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit (BIA) Aleksandar Vulin, zoti Escobar tha se ai ka qenë një një figurë jashtëzakonisht destabilizuese në rajon për një kohë të gjatë, gjë mbi të cilën u bazuan edhe sanksionet amerikane.

Lidhur me komentet e Aleksandar Vulinit se ai dha dorëheqjen pasi Uashingtoni dhe Brukseli po e kërkonin një gjë të tillë si parakusht për të mos i vendosur sanksione Serbisë, zoti Escobar tha se “ne (SHBA) nuk marrim vendime në emër të qeverisë serbe”. /VOA/ 

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë