I ndaluar prej më shumë se 7 vitesh, dhe ende peng i akteve nënligjore për tu rikthyer vetëm online, aktiviteti i basteve sportive ka lulëzuar në rrugë ilegale në Shqipëri. Vetëm në 3 vitet e fundit, mbi 1200 raste u goditën nga policia, dhe mbi 2400 persona u arrestuan apo hetuan në gjendje të lirë. Një aktivitet, që sipas kreut të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli u mbajt në këmbë, fshehurazi, nga të njëjtat kompani që kishin vepruar përpara se të vendosej bllokimi.
***
31 dhjetori i vitit 2018, më shumë se 7 vjet më parë, ishte dita e fundit kur në Shqipëri lojërat e fatit dhe bastet sportive konsideroheshin të ligjshme. Masa për mbylljen totale të tyre u justifikua me problematikën sociale që po sillte fenomeni, rrënim të ekonomisë, deri në prishje të familjes.
Operacioni që çoi në mbylljen e tyre u quajt “Fundi i marrëzisë”, por në fakt marrëzia nuk mori fund. Thjesht u konsiderua e paligjshme, dhe lulëzoi si e tillë.
Jo si dikur, por përgjithësisht online, fshehtas nëpër lokale të vogla, të padukshme, të pareklamuar dhe larg syrit të autoriteteve dhe mbi të gjitha, para të padeklaruara.
Vetëm në tre vitet e fundit, sipas shifrave zyrtare të siguruara nga Report TV, janë zbuluar gati 1200 raste të basteve të paligjshme, dhe gati dyfishi është numri i atyre që janë ndjekur penalisht për këtë aktivitet. Shifrat në 12 qarqe kanë trend thuajse të ngjashëm sa i përket numrit të rasteve të zbuluara, 436 në vitin 2023, 433 në atë pasardhës dhe 335 raste në 2025. Tirana ka numrin më të lartë, bazuar edhe në raportin me popullsinë, ndjekur nga Durrësi dhe Korça. Në shifra të papërfillshme janë qarqet Kukës dhe Shkodër.
Qarku | 2023 | 2024 | 2025 |
Tiranë | 122 | 128 | 84 |
Durrës | 35 | 107 | 124 |
Korçë | 59 | 71 | 66 |
Fier | 45 | 103 | 21 |
Elbasan | 35 | 11 | 12 |
Lezhë | 42 | 14 | 7 |
Vlorë | 29 | 4 | 10 |
Shkodër | 22 | 23 | 7 |
Dibër | 18 | 32 | 6 |
Berat | 21 | 8 | 4 |
Kukës | 5 | 1 | 7 |
Gjirokastër | 3 | 1 | 3 |
TOTALI | 436 | 433 | 335 |
Në dallim nga numri i rasteve, dukshëm më i lartë, afro 2400, është ai i personave të arrestuar, ndaluar, apo hetuar në gjendje të lirë për ushtrimin e aktivitetit të basteve. Viti 2024 shfaqet me shifra më të larta se 2023 apo dhe 2025.
Qarku | 2023 | 2024 | 2025 |
Tiranë | 253 | 535 | 162 |
Durrës | 38 | 116 | 160 |
Korçë | 111 | 155 | 139 |
Fier | 56 | 156 | 32 |
Elbasan | 83 | 38 | 43 |
Lezhë | 72 | 17 | 29 |
Vlorë | 51 | 9 | 15 |
Shkodër | 29 | 41 | 7 |
Dibër | 20 | 37 | 8 |
Berat | 21 | 8 | 9 |
Kukës | 5 | 1 | 8 |
Gjirokastër | 4 | 3 | 3 |
TOTALI | 743 | 1,116 | 615 |
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, i cili e kundërshtoi prej fillimit bllokimin e basteve, thotë që shteti duhet ta kontrollojë këtë treg të zi, te i cili qarkullojnë para të pista.
“Sot luajnë dhe 12 vjeç. Përveç kësaj luajnë në të zezë, asnjëri nuk është i siguruar. Para që mund të vijnë nga kontrabanda, nga korrupsioni, para të pista dhe luajnë në baste. Ne themi shteti të jetë rregullatori i këtij ligji të mirë për t' i kontrolluar siç i kanë dhe vendet e Evropës. Mos ikin siç ikin sot, ikin në Azi me qindra mijëra dollarë dhe miliona dollarë i ikin shtetit shqiptar nga kompanitë e basteve”, shprehet Fidel Ylli.
Çfarë ndodhi gjatë këtyre 7 viteve që bastet u bllokuan, kush i menaxhoi në mënyrë të paligjshme?
“Bastet përfunduan në duart, pjesa më e madhe në ato kompani që i kanë pasur dhe më parë, sepse kanë infrastrukturën gati, kanë serverat gati, kanë atë lojtarin që menaxhon, lojën gati, dhe janë shumë të thjeshta për t'u bërë dhe ata mendojnë që thonë shyqyr që u bë kështu se s'paguajmë as taksa në shtet, as sigurime, as rroga, asgjë. Kanë një server aty, kanë disa menaxherë që luajnë online, tek ata bastexhi që janë të thekur për baste dhe funksionojnë dhe fitojnë miliona”, - thotë për Report Tv, presidenti i KOKSH, Fidel Ylli.
Në vitin 2018, AKEP bllokoi të gjitha faqet kombëtare dhe ndërkombëtare të basteve sportive, 56 në total, që funksiononin brenda territorit të vendit. Që prej asaj kohe, domainet e tyre janë të bllokuara dhe aksesi në to është i pamundur.
Megjithatë, mënyra për t’i anashkaluar këto bllokime është gjetur. Për të hyrë në këto faqe përdoren VPN-të, përmes të cilave shqiptarët mund të krijojnë llogari dhe të vendosin baste, duke kryer pagesat me kartë bankare.
Një tjetër formë që ka nxitur lulëzimin e këtyre aktiviteteve është hapja e faqeve me domain dhe emër të ndryshëm, që në pamje të parë nuk lidhen me bastet, për të cilat nuk ka nevojë për VPN. Për shembull, një domain mund të duket si faqe për shitje rrobash, por pasi hapet, shfaqet si platformë bastesh sportive. Edhe ato kanë akses për hapjen e llogarive nga përdoruesit. Për një pjesë të këtyre faqeve, pagesat kryhen me kartë bankare, ndërsa në raste të tjera përdoren edhe pagesa në dorë.
Megjithatë, rikthimi i basteve, tanimë online, sipas Fidel Yllit duhet të jetë i kujdesshëm, por dhe pa burokraci të shumta.
“Basti duhet të jetë atraktiv që lojtari të iki nga e zeza e të vijë te ty. Për çfarë duhet të vijë te ty kur ti i thua që të luash bazë tek unë duhet të futesh dhe për 100 lekë, duhet të futësh kartën e identitetit. Nuk të vjen njeri”, thekson Ylli.
Gjatë vitit të fundit, kur ligji tashmë ishte miratuar për rikthimin online (më 15 shkurt të 2024-ës), por ende i pamundur për t’u zbatuar pasi ende nuk janë miratuar aktet nënligjore, një rrjet i dyshimtë lokalesh në Tiranë nisi të shtohej si kërpudhat nën emrat “CR7” dhe “333”, të cilët në pamje të parë ngjanin me lokalet e basteve sportive. Shpejt jehona e tyre u shua, pas zhurmës së krijuar në rrjete sociale.
Komente











Te taksohen dhe deklarohen punonjesit kjo e ul me shume % e papunesise nga 8% deri ne 6% ne republike ! Duhet nje ligj EU
Përgjigju