Gjyqtarja Ines Casciaro e Gjykatës së Lecce-s, në Itali, më datë 28 dhjetor të vitit të kaluar, ka vendosur sekuestrim të pasurive të familjes Prudentino, nga Ostuni. Sipas saj, Albino Prudentino “bën pjesë në organizatën kriminale Sacra Corona Unita” dhe “ka transferuar në kompani të ndryshme tregtare para’ me origjinë nga kontrabanda e cigareve të prodhuara jashtë Italisë, si dhe nga trafiku i narkotikëve”.

Sipas shtypit italian, Prudentino është ndër të paktit bosë të mafias lokale, që i rezistuan bllokimit të trafikut ndërkombëtar kontrabandë të cigareve, duke gjetur aktivitete të tjera të paligjshme. Ai u arrestua në Vlorë në vitin 2012 dhe u ekstradua në Itali, ku ndodhet në burg me akuza shumë të rënda.

Ditët e parë të marsit 2013 Guardia di Finanza ekzekutoi 19 mandat-arreste, ndër të cilët 9 me burg dhe 10 me arrest shtëpie. Ndërkohë, janë kryer sekuestrime me vlerë totale 3.6 milionë euro: vila, aktivitete tregtare, makina luksi, llogari bankare, etj. Por, është paralajmëruar edhe një maksi-sekuestër në masën 15 milionë euro për ndërmarrjet e tij.

Sipas përfaqësuesve të Finanza-s, Prudentino kishte pastruar para me origjinë kriminale, nëpërmjet njerëzve të tjerë, duke investuar në aktivitete në dukje normale. Urdhër-arrestet janë dhënë pas një hetimi që ka zgjatur për dy vjet e gjysëm nga të gjitha degët e Antimafias italiane.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)