“Lëvizja e sotme e shoqërisë civile, ku gabimisht iu kërkua llogari Ministrisë së Drejtësisë për përgjegjësi që nuk i ka, apo kompetenca që nuk i disponon, nëpërmjet simbolikës së ngjyrosjes me bojë të kuqe të godinës së Ministrisë së Drejtësisë, nxjerr në pah nevojën e menjëhershme për të sqaruar mekanizmat dhe autoritetet përgjegjëse për parandalimin dhe ndjekjen e rasteve të dhunës në familje. Të gjithë bashkë, duke përfshirë edhe shoqërinë civile, duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim, për të sqaruar në detaje veprimet dhe mekanizmat ligjore në dispozicion të të dhunuarve në familje” është ky reagimi i Ministrisë së Drejtësisë vetëm pak minuta pas përfundimit të marshimit të realizuar nga shoqëria civile në homazh të gjyqtares së vrarë Fildez Hafizi.
 
Në një njoftim për mediat Ministria e Drejtëisë u shpreh se çdo organ publik që nuk ka përmbushur përgjegjësitë sipas ligjit, përfshirë këtu edhe sistemin gjyqësor, duhet të përgjigjet administravisht dhe penalisht për mosveprim.
 
 Ajo sqaron se sipas legjislacionit në fuqi, Ministria e Drejtësisë ka përgjegjësinë e trajnimit të stafit mjeko-ligjor dhe përmbaruesve gjyqësore, si dhe të financojë mbrojtjen ligjore falas ndaj grave të dhunuara.
 
 Në fjalën e mbajtur para Ministrisë së Drejtësisë e cila u godit edhe me bojë të kuqe, përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan që institucionet të ashpërsojnë dënimet ndaj vrasësve të grave e vajzave.