Komisionerja Europiane për Zgjerim, Marta Kos, është shprehur se të gjitha vendet kandidate kanë mundësi të anëtarësohen në BE vetëm kur të kenë plotësuar të gjitha kushtet. Komentet Kos i bëri nga Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE në Bruksel, ku tha se BE po planifikon që vendet e reja që do të anëtarësohen në BE, do të duhet të japin disa garanci.

Sipas Kos, nëse këto vende, pasi të bëhen anëtare të BE-së dhe ndjekin rregullat e Unionit, këto garanci nuk do të ndihen. Por e kundërta sipas saj do të ndodhë nëse shtetet që anëtarësohen në BE, nuk do të ndjekin rregullat. Megjithatë Kos shtoi se ‘garancitë’ për vendet pretendente për t’u anëtarësuar në BE janë ende në diskutim dhe akoma nuk është marrë vendim përfundimtar.

“Për mua sfida më e madhe e procesit të zgjerimit është sesi të ngushtohet hendeku midis parimit bazuar në meritë që kërkon kohë dhe si t’ju përgjigjemi situatave të sotme gjeopolitike. Ashtu si keni thënë zoti kryeministër, nëse nuk do të mund të integrojmë fqinjësinë apo hapësirat tona të kandidatëve, dikush tjetër mund të hyjë dhe t’i përdorë si armë ndaj nesh. Çdo diskutim nga shtetet anëtare është shumë i mirëpritur.

Të gjitha vendet tona kandidate kanë mundësi të anëtarësohen në BE, kur të plotësojnë të gjitha kushtet. Kjo është baza dhe kjo nuk ka ndryshuar aspak. Kam folur shumë herë për garancitë, sepse kur të pranojmë shtetet anëtare, duhet të jemi më të fortë. Sesi do të jetë kjo garanci, kjo është ende në diskutim. Vendet kandidate mund të dinë diçka nga diskutimet, por asgjë nuk është vendosur. Këto garanci do të jenë të padukshme për shtetet e reja anëtare, kur të behen pjesë, nëse ndjekin rregullat. Sepse nëse nuk ndjekin rregullat, do i ndjejnë fortë këto garanci”, tha mes të tjerash Kos.


Lajmi kryesor:

Konferenca Ndërqeveritare, Rama: Do të jemi anëtarë të BE brenda kësaj dekade! Mësoni nga dashuria e Shqipërisë! Kos: Mbështesim vizionin për mbylljen e negociatave deri në 2027