Marubi, zbulohet fotoja e rrallë
e shkrimtarit Ernest Koliqit

Marubi, zbulohet fotoja e rrallë <br />e shkrimtarit Ernest Koliqit
TIRANE - Takimi për të përkujtuar Ernest Koliqin, shkrimtarin e mirënjohur shqiptar, në 110-vjetorin e lindjes është zhvilluar dje në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në fjalën e tij ministri Zhiti vlerësoi personalitetin krijues dhe kulturor të Ernest Koliqit, që la gjurmë të thella në kulturën kombëtare.

“Fenomeni Koliqi i tejkalon vdekjet e veta, atë që është e natyrshme për jetë njerëzish dhe veprash, por dhe ato që ia dhanë plot me mëri, vdekjet si dënim dhe hakmarrje parake. Sipas sentencës latine mund të themi se vepra Koliqjane tashmë i është vënë udhës së ringjalljes e jo vetëm të vetvetes”, tha ministri Zhiti. Ministri Zhiti theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të veprës së Koliqit dhe cilësinë e saj të veçantë, gjithashtu.

“Koliqi është shkrimtar i klasit të parë, që bashkë me Mitrush Kutelin, janë themelues të tregimit modern në letërsinë shqipe”, tha Ministri Zhiti, duke e vlerësuar Koliqin si “një nga emrat më të shquar të letërsisë dhe të kulturës shqiptare së gjysmës së parë të shekullit të njëzetë”. Në takimin përkujtimor në nderim të Koliqit foli dhe shkrimtari Lazër Stani, duke vlerësuar gjuhën e tij dhe arritjet si dhe studiuesi i ardhur nga SHBA, Mërgim Korça, i cili tregoi për njohjet me shkrimtarin Ernest Koliqi, për porositë e tij, për vlerat duke treguar se kultura shqiptare është më e pasur me të.

Në intervistën për “Shqiptarja.com”, shkrimtari Lazër Stani theksoi disa pika kyçe të veprimtarisë së Ernest Koliqit si personalitet i Kulturës dhe i Arsimit, botuesi i antologjive të para të letërsisë shqipe, të folklorit shqiptar, meritat e përhapjes së Arsimit shqip në Kosovë, ku dhe themeloi të parën shkollë të mesme, etj.


Lazër StaniZoti Stani, (foto) çfarë synimi kishte takimi për 110-vjetorin e lindjes së Ernest Koliqit?

-Të sillte në vëmendje të publikut këtë personalitet të veçantë të kulturës shqiptare, i cili ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë tonë kulturore. Ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme, me të cilën, jo vetëm ne vetëdijesohemi, por krijojmë edhe vizionin e së ardhmes në projektin e së ardhmes. E thotë Ernesto Sabato, që “një komb matet me njerëzit e shquar”.

Dhe, padyshim, Enerst Koliqi është një nga njerëzit e shquar të këtij vendi dhe padyshim e them këtë që Ernest Koliqi ka një veprimtari të dyfishtë si krijues, si shkrimtar, i cili me tregimet e tij, me prozën e shkurtër, e ktheu afroi tregimin shqiptar me standardet e tregimit europian që shkroi në vitet ‘30. Tema e veçantë e Koliqit është njeriu shqiptar, qytetari shqiptar me problemet, me psikikën, me dramat, e me trashëgiminë e tij shpirtërore dhe kulturore.

Ndryshe Koliqi qytetërimet e tjera i vë në konfortim, në ballafaqim me modernitetin, me Europën. Dhe kjo e bënë të veçantë në perceptim Koliqin si një shkrimtar. E dyta është se Koliqi përmirësoi teknikën e narracionit. Me tekstin letrar krijoi një trashëgimi. E treta, siç thotë Brockij, “i vetmi patriotizëm që i ka hije shkrimtarit të shquar është kur shkruan më një gjuhë të pasur”. Koliqi shkruan një gjuhë të begatë dhe kjo tregon se është një patriot i madh i shqipes. Shkrimtari ndihet krenar kur e zotëron gjuhën e tij dhe ai shpreh mes kësaj gjuhe shpirtin e tij, vizionin e tij. Me shumë kolorit dhe në mënyrë shumë ekspresive ai shpreh ëndrrën e tij si shqiptar.

Cilat mendoni se janë kontributet më thelbësore të tij, kur dihet që Koliqi ka drejtuar institucionet e vendit nën pushtimin fashist?
-Janë shumë. Koliqin e përkujtuam sot, sepse veprimtaria e tij nuk mbaron vetëm në fushën e kulturës, ku kontributi i tij është shumë i çmuar. Koliqi është autor i antologjisë së parë shqipe. Koliqi është nismëtar i botimit të “Visareve të Kombit”, që është pothuajse antologjia e madhe, e plotë e trashëgimisë folklorike të popullit shqiptar, e cila u botua në “Visaret e Kombit”.

Gjithashtu, Koliqi sa kohë që qe ministër kulture, pavarësisht se ishte në qeverinë e një vendi të pushtuar, u përpoq të shtrinte arsimin shqiptar në të gjitha trevat ku kishte shqiptarë. Me vendimin e Koliqit 200 arsimtarë nga më të zgjedhurit shqiptarë u dërguan në Kosovë dhe përhapën arsimin shqip. Ngritën shkollat shqipe dhe përhapën arsimin shqip, përhapën kulturën shqiptare.

Orientimi i Koliqit ka qenë i qartë, shqiptarët janë një popull i lashtë, janë një popull europian dhe ata duhet të orientohen nga kultura shqiptare. Ai përkthente për shkollat vetëm letërsi perëndimore, letërsi italiane dhe nxiste shqiptarët që të përkthejnë letërsinë europiane dhe shqiptarët të edukohen si europianë. Është hera e parë që falë vendimit të Koliqit u ngrit edhe shkolla e parë e mesme në Kosovë.

Është fillesa e punës së tij, që krijoi ato elita intelektuale në Kosovë. Puna e atyre arsimtarëve të shquar që përhapën arsimin shqip bëri që të krijohej elita e ardhshme e Kosovës, të krijohej ajo elitë kulturore kombëtare që çoi në krijimin e një vetëdijeje të fuqishme shqiptare, e cila, në fund të fundit ka sjellë edhe krijimin e asaj Kosove të pavarur që kemi sot.

Koliqi ka qenë i mohuar, gjatë kohës që ju keni kryer studimet. Kur e keni njohur për herë të parë veprën e Koliqit?
-Koliqi si të gjithë letërsinë e ndaluar shqiptare e kam njohur pas ‘90-ës, në bashkëpunim me kolegun tim, me mikun tim, Zija Çela. Zijaji po përgatiste një vëllim me tregime të zgjedhura të Koliqit për t’u botuar në në shtëpinë botuese të shkrimtarit në vitin 1993. Atëherë vendosëm që këtij libri me tregime të Koliqit t’i vëmë një titull të ri, “Hanë gjaku”, i cili është një nga tregimet më emblematikë të Koliqit. Është shumë bukur, asnjë fjalë të tepërt, një tregim mbi një figurë mistike, gati mbi fatin dhe fatalitetin e njeriut.

A mendoni se Koliqi e ka zënë vendin e merituar në letrat shqipe?
-Nuk është vetëm Koliqi, por është një plejadë e tërë e letërsisë sonë, nga letërsia e vjetër shqipe që nuk ka zënë vendin e merituar. Unë e kuptoj se ka një lloj vështirësie për t’u mësuar me këta shkrimtarë si Mjeda, si Fishta, si Mitrush Kuteli. Këta janë diamante që shkëlqejnë, por që dremisin në kulturën shqiptare. Megjithatë nuk janë këta njerëz që humbasin, është kultura shqiptare që humbet.

 	ernest koliçi

(Foto:Ernest Koliqi, foto Marubi)



Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.05.2013

Redaksia Online
(b.m/sqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi