- MAS, kallëzim penal për pedagogun e universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër -
TIRANË, 15 Tetor/ATSH/.- Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon çdo akt korrupsioni, ndërsa deklaroi të enjten se ka nisur procedurat për kallëzim penal ndaj pedagogut të Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër, i akuzuar për mitmarrje.
Përmes një deklarate për shtyp, MAS njoftoi mbi masat që janë marrë pas publikimit të pamjeve të transmetuara në datat 13 dhe 14 tetor 2015 në emisionin investigativ "Fiks Fare", në televizionin Top Channel, i cili zbuloi një skemë korruptive ndaj një studenti, me qëllim përfitimin e të drejtës së marrjes së provimeve në Universitetin e Shkodrës përkundrejt mitmarrjes.
Menjëherë pas transmetimit në emisionin "Fiks Fare" të këtij skandali të ndodhur pranë Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër, MAS bënë të ditur se ka kontaktuar me Rektoratin e këtij Universiteti, që ky institucion të marrë masat e duhura administrative për këtë rast.
Duke shprehur vendosmërinë për të ndëshkuar çdo rast të tillë, Ministria e Arsimit ka nisur procedurat për kallëzim penal ndaj pedagogut pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
"MAS vazhdon punën për zbatimin e reformave tërësore në të gjithë sistemin arsimor dhe fton të gjithë studentët, qytetarët, prindërit dhe punonjësit në institucionet arsimore që të mos hezitojnë të denoncojnë çdo rast abuzimi dhe korrupsioni në sistemin arsimor", thuhet në njoftimin për shtyp të MAS.
MAS përshëndet dhe falënderon studentin protagonist në këtë video për shfaqje të kurajës qytetare, si edhe gazetarët e emisionit investigativ të televizionit "Top Channel" për zbulimin e rastit në fjalë, puna e të cilëve është një ndihmë e paçmuar në nismat e ndërmarra nga qeveria në luftën ndaj korrupsionit. /m.m/