TIRANE - Ministria e Arsimit ka publikuar formulatër A1 dhe A1Z të maturantëve. Me anë të këtyre formularëve, të gjithë maturantët kanë të drejtë të bëjnë zgjedhjet e tyre për t’iu nënshtruar dy provimeve me zgjedhje. Gjithsej, maturantët do t’u nënshtrohen pesë provimeve.

Tre janë të detyruara, Gjuha Shqipe dhe Letërsia, Matematika dhe Gjuha e huaj e parë dhe dy të tjerat do të zgjidhen nga vetë maturanti, me përjashtim të shkollave profesionale. Këtë vit, maturantët e shkollave profesionale, “Teorinë profesionale”, e kanë provim me zgjedhje të detyruar. Për zgjedhjen e lëndëve me zgjedhje, shuma e krediteve të tyre nuk duhet të jetë më pak se tetë. Në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2015, e firmosur nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, në datën 10 shkurt, është përcaktuar që një maturant të quhet kalues, duhet të marrë jo më pak se 20 % të pikëve për secilin test.

Për këtë vit aplikimi do të bëhet dy herë, fillimisht maturanti e bën aplikimin në portalin qeveritar, 1-15 mars 2015 dhe më pas në portalin e maturës nga 10-31 mars 2015. Sipas Rregullores, provimet e maturës do të zhvillohen vetëm me shkrim. Gjithashtu, të gjthë personat të cilët do të përfshihen në çdo nivel të administrimit të proçesit të nivelit të provimeve, duhet të deklarojnë me shkrim se nuk kanë fëmijë, nipër, mbesa, motër apo vëlla peronat që do t’i nënshtrohen provimit.

Po ashtu, ambienti duhet të jetë i ndriçuar dhe i pajisur me valë bllokuese të telefonisë cellular. Në Rregullore thuhet, se mjedisi se ku do të zhvillohet provimi, duhet të jetë i mjaftueshëm për të paktën 50 maturantë, me përjashtim të rasteve të veçanta, ndërsa largësia ndërmjet çdo maturanti duhet të jetë jo më pak se 120 cm në të katërta drejtimet, si: majtas-djathtas, ashtu edhe para-mbrapa. Të gjithë maturantët duhet të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim, dhe mjediset ku do të jenë ulur maturantët, nuk duhet të kenë tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që do të testohet.

Ndërkohë, përsa i përket maturantëve të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014 dhe nuk janë pajisur me Diplomë, nuk do ta japin gjuhën e huaj si provim të detyruar, por vetëm dy provimet e tjera, kandidati i cili është pajisur me Dëftesë Pjekurie në vitet e mëparshme, shtetas shqiptar ose i huaj, dhe vjen nga jashtë shtetit për të dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, nuk merr Diplomë, por pajiset me vërtetim të Maturës Shetërore, pasi Diploma për të gjithë maturantët lëshohet vetëm një herë. Nëse maturanti nuk rezulton kalues në sezonin e parë, në sezonet e tjera do të japi vetëm provimin/et mbetës/e të detyruara dhe me zgjedhje, në të cilat ata kanë ngelur.


PDF/ Formulari A1 dhe A1Z



Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)