TIRANË- Krerët e drejtorive arsimore rajonale, pas konkurseve maratonë për përzgjedhjen e tyre, tashmë po i nënshtrohen një tjetër prove.

Ministria e Arsimit ka vendosur të masë punën e tyre me anë të votës së mësuesve. Gjatë ditës së sotme, në të gjitha shkollat e vendit, mësuesit kanë hedhur vlerësimin e tyre në kutinë e fshehtë për mënyrën se si kanë punuar deri më tani të gjithë drejtorët e arsimorë rajonalë apo zonalë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e ka ndjekur këtë proces nga afër në shkollën e mesme "Çajupi", nga ku ka dhënë mesazhin se dikasteri që ajo drejton është e vendosur të kthejë sigurinë tek të gjithë se nota nuk blihet.

“Edhe pse kanë dalë pas një proces konkursi, fjala ime ka qenë se do të jenë në një provë dhe unë do të ftojë sërish mësuesit për t’u bërë pjesë e vlerësimit të punës së tyre”, tha ministrja Nikolla.

Për të kryer këtë anketim, Ministria e Arsimit ka përcaktuar 63 qendra votimi në mbarë vendin ku rreth 15 mijë mësuesit do të mund të vlerësojnë me "Shumë Mirë" "Mirë", Dobët" dhe"Mjaftueshëm" punën e deritanishme të drejtuesve të arsimit nëpër rrethe.

Pas marrjes së këtij rezultati të parë, MAS do të mund të rishikojë kontratat me drejtuesit e DAR/ZA, pasi aktualisht ata janë në provë. 

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)