Ish-zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i akuzuar për keëpërdorim të funksionit, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik për kontratat ‘Lotaria Shtetërore’, ka ofruar një garanci prej 335 mijë eurosh për heqjen e arrestit shtëpiak.
“Mbrojtja ofroi pasuri të paluajtshme në vlerë prej 335.707 eurosh si garanci se i akuzuari do të jetë në dispozicion të organeve të ndjekjes gjatë procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.
Do të jetë Këshilli Penal ai që do të vendosë mbi pranimin ose jo të garancisë. Masa e arrestit në shtëpi ndaj Grubit skadon më 13 tetor.
Grubi u vetëdorëzua në shkurt në pikën kufitare të Bllacës me Kosovën, teksa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej dhjetorit 2024. Në po atë muaj, ai u shpall non grata nga DASH.
Sipas hetimeve, vendimet dhe kontratat ku janë kryer shkelje, kanë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme në buxhetin e institucionit, që përllogariten mbi 8 milionë euro. Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.










Komente
Komento