Masakra e Elbasanit, serial
vrasjesh e dështim i drejtësisë
Video/ Lokali ku ndodhi krimi

Masakra e Elbasanit, serial<br />vrasjesh e dështim i drejtësisë<br />Video/ Lokali ku ndodhi krimi
TIRANË - Bien në pritë anëtarët e fisit Çapja në Elbasan, ku persona të paidentifikuar kanë zënë në “çark” rreth 10 persona që qëndronin në ambientet e brendshme të një lokali, shumë pranë hotel “Univers”, pronë e familjes Çapja në këtë qytet. Në fakt krimi që vuri në lëvizje thuajse të gjithë shtetit dhe ka mobilizuar qindra forca policie,është i përsëritur duke bërë që përplasja mes dy fiseve Mema-Çapja të krijojë shumë viktima.

Viktimat shtohen ndërsa drejtësia shqiptare ka dështuar në të gjitha drejtimet e saj, duke mos arritur të zbardhë këto vrasje tipike mafioze. Gazeta “Shqiptarja.com” zbardh të plotë historikun e këtyre krimeve, numrin e viktimave dhe dështimin e plotë të strukturave ligjzbatuese në Elbasan dhe jo vetëm. Dy fiset Çapja dhe Mema në Elbasan kanë qenë miq me njëri-tjetrin dhe shumë të nderuar në qytet. Mirëpo miqësia e tyre është krisur në dhjetor të 2005, kur mbeti i vrarë në lokal “Aquario” Sokol Çapja. Gjithçka ka nisur me një “fërkim” shikimesh mes Sokol Çapjas, në atë periudhë biznesmen dhe Fadil Memës, në atë kohë shef qarkullimi në Drejtorinë e Policisë Elbasan.

Pas këtij “fërkimi” shikimesh, palët kanë debatuar me fjalë por sërish janë ndarë pa probleme. Mirëpo nuk është mbyllur me kaq, pasi konflikti ka vijuar një ditë më pas nga nipat e Fadil Memës, të cilët kanë debatuar me Sokol Çapjan. Ky debat i ka hedhur benzinë zjarrit, pasi në 26 dhjetor 2005 tre persona kanë hyrë me automatik “Skorpions” në lokal “Aquario” dhe qëllojnë mbi Sokol Çapjan që ishte nën shoqërinë e dy femrave. Çapja vritet, autorët largohen. Për këtë ngjarje policia identifikoi Dritan Shemen, Armando Hasanin dhe Gentjan Meta (Beqiri).Vrasja e Sokol Çapjas i hapi rrugën e serisë së vrasjeve të tjera.

Dy nga tre autorët u arrestuan, ndërsa u dënuan nga prokuroria dhe gjykata e Elbasanit. Ndërkohë Gjykata e Lartë ka kthyer dosjen për rigjykim në Elbasan. Kjo solli dhe mbarimin e afateve të arrestit dhe autorët dolën në “arrest shtëpie”. Ndërkohë tashmë radha për kundërpërgjigje ishte e anëtarëve të fisit Çapja. Ata, jo shumë larg vrasjes së Sokol Çapjas, gjurmojnë Dritan Shemen, djalin e dajës së Fadilit. Gjurmimi është bërë nëpërmjet të dashurës së tij, dhe e gjejnë në një hotel në Tiranë, ku e vrasin menjëherë. Ngjarja mbetet pa autor nga drejtësia shqiptare.

Pas tij, Çapjat një vit më pas synojnë të ekzekutojnë Fadil Memën pranë banesës së tij afër doganës së Elbasanit, por nuk arrijnë dot, duke e plagosur në këmbë. Sërish ngjarja mbetet pa autor nga drejtësia Shqiptare. Çapjat nuk tërhiqen nga hasmëria. Pas dështimit me Memën, qëllohet më armë kunati i tij Ardian Ibrahimi, teksa qëndronte pranë autoshkollës së Fadil Memës. Për këtë ngjarje nuk pati asnjë të arrestuar. Në vitin 2009, dyshohet se fisi Çapja ka sponsorizuar vrasjen e ish-shefit të antidrogës në policinë e Elbasanit, Roland Rexhepin “Doda”, kushëriri i Fadil Memës. Për këtë ngjarje janë arrestuar dhe dënuar Armand Llakaj kusheri i familjes Çapja dhe Marjus Tafa me 48 vite burg, megjithëse ata nuk e kanë pranuar krimin. Pa kaluar shumë kohë në 30 dhjetor 2011 qëllohet me armë vëllai i Roland Rexhepit, Ilir Rexhepi, kushëri me Fadil Memën.

Për këtë krim, policia nuk ka arrestuar askënd, megjithëse i dyshuari Bledar Muça është shpallur në kërkim. Mendohet se ai fshihet në Londër. Muça u ndihmua nga një polic në Kapshticë për të kaluar kufirin në Greqi. Në këto kushte policia arrestoi policin Ardian Çekiçin. Ndërsa i dyshuari Muça, besohet se është ende në kërkim nga drejtësia. Hakmarrja e fisit Çapja, ka vijuar në 15 gusht 2012, duke vënë në plan një skenar të denjë për filma. Teksa Gentian Beqiraj qëndronte shtrirë në krevat, i arrestuar nga prokuroria për vrasjen e Sokol Çapjas në 2005, Florenc Çapja i plagosur dje dhe Arben Jaçe, kanë shkuar në banesën e tij në katin e 5 të pallatit.

Megjithëse Beqiraj ruhej me dy policë pasi ishte në “arrest shtëpie”, dy autorët i janë prezantuar efektivëve se ishin të afërm të Beqiraj dhe janë lejuar të hyjnë në hyrje të pallatit. Teksa kanë trokitur në derën e apartamentit ka dalë babai i Beqirajt, Neziri, i cili është rrahur barbarisht nga autorët. Më pas ata kanë qëlluar me disa plumba në kokë Gentjan Beqiraj teksa ky i fundit flinte gjumë. Pas largimit të autorëve ka vdekur dhe Nezir Beqiraj. Prokuroria arrestoi në doganën e Qafë-Thanës, Florenc Çapjan dhe Arben Jaçen, të cilët u identifikuan nga policët e shërbimit poshtë pallatit.

Po ata janë liruar pas disa ditësh, pasi policët ndryshuan dëshminë e tyre në gjykatë, duke pohuar se nuk ishin ata. Presioni i Çapjave në atë kohë shkoi deri tek gjyqtarët dhe prokurorët e Elbasanit, të cilët në atë kohë u siguruan me truproja të repartit RESI. Çështja dështoi dhe se për këtë vrasje nuk ka asnjë autor. Pas këtij krimi Fadil Mema, i ndodhur mes një seri sulmesh dhe mosgjetjes së gjuhës së dialogut dhe refuzimit për tu pajtuar me familjen Çapja, vendos të marrë familjen e tij dhe të largohet në Itali, duke qëndruar në Torino. Në këtë shtet ai kishte gjetur dhe një  punë si gazeta shitës. Anëtarët e familjes Çapja e gjurmojnë deri në Itali duke e vrarë në 14 mars 2015 me 7 plumba, ngjarje kjo e ndodhur 1 vit më parë. Hetimi u krye nga policia italiane, por nuk pati asnjë të arrestuar. Një vit pas, tashmë radha është e fisit Mema të kundërpërgjigjet, ku dje në mbrëmje kanë vrarë tre anëtarë të këtij fisi, dhe kanë plagosur 7 të tjerë.


Redaksia Online
(E. Ç./shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë