Ajo njihet si Masakra e Qafë-Valmirit. Nga më të përgjakshmet e ndodhura pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. 14 burra, përfaqësues të dyerve më të mëdha e të më shquara të Mirditës u varën ose u pushkatuan. Reprezalja nuk u ndal me kaq. U burgosën afro 500 burra të tjerë. 300 familje u internuan. Mirdita ishte një ndër zonat që nuk iu nënshtrua lehtë regjimit të ri që u vendos në Shqipëri, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë mënyrë regjimi u mundua ta mbyste në këtë krahinë veprimtarinë që ishte në kundërshtim me idetë e së majtës bolshevike.

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e zhvilluar në përvjetorin e kësaj masakre. Alibeaj ka shkruar në Facebook se kjo maasakër do të shënonte fillimin e një persekutimi masiv, pothuajse gjysmë-shekullor gjatë diktaturës.

“Në 17 Gusht 1949, kriminelët komunistë iu vërsulën Mirditës, e ushtruar atje terrorin më të madh të diktaturës komuniste. Nga familjet më me emër të Mirditës, 10 burra u pushkatuan e 4 u varën në litar, 12 të tjerë u dënuan me burgime të gjata, 300 familje u internuan në kampin famëkeq të Tepelenës.

Për Mirditën, si vatër e katolicizmit dhe rezistencës aktive ndaj komunizmit, masakra e Qafës së Valmirit do të shënonte fillimin e një persekutimi masiv, pothuajse gjysmë-shekullor gjatë diktaturës. Ajo krahinë pësoi gjenocidin komunist më mizor në Shqipëri, faji i vetëm i së cilës ishte rezistenca ndaj diktaturës.

Kujtimi dhe respekti ndaj viktimave të asaj masakre, përkujtohet cdo 17 gusht nga familjarë dhe pasardhës të tyre. Si dëshmi e identitetit historik, ngadhnjimit mbi të keqen dhe përkushtimit për të nxjerrë të vërtetën, që eshtrat e viktimave të prehen në paqe, që shpirti i tyre të pushojë i qetë në parajsë e që të gjallët të mbajnë fort në zemër vlerat e lirisë dhe besimit në zot. I paharruar kujtimi i tyre! Shpirti i tyre u prehtë në altar të parajsës”, ka shkruar Alibeaj.

Edhe ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për këtë masakër. Teksa e ka konsideruar si një prej krimeve më të rënda komuniste, Berisha ka thënë se dënon edhe “heshtjen që mbajnë ndaj këtyre krimeve të tmerrshme sot, Edi Rama dhe pasardhësit e tjerë të komunistëve në pushtet”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:53
73-vjetori i masakrës së Qafë Valmirit, Berisha: Rama hesht për këtë krim komunist

1660671033_berisha.JPG

Ish-Kryeministri Sali Berisha përmes një postimi në Facebook ka reaguar për 73-vjetorin e masakrës së Qafë Valmirit. Teksa e ka konsideruar si një prej krimeve më të rënda komuniste, Berisha ka thënë se dënon edhe “heshtjen që mbajnë ndaj këtyre krimeve të tmerrshme sot, Edi Rama dhe pasardhësit e tjerë të komunistëve në pushtet”.

“Të dashur miq, më 17 gusht të vitit 1949, me urdhër të xhelatit, vrasësit serial, ministrit të Brendshëm të kohës Mehmet Shehu dhe direkt kryexhelatit Enver Hoxha u ekzekutuan në Qafë Valmir, 14 burra të pafajshëm, si akt hakmarrjeje primitive për vrasjen e sekretarit të parë të Mirditës, Bardhok Biba me të cilin asnjëri prej këtyre martirëve nuk kishte asnjë lidhje. Ata u dënuan pa asnjë provë apo fakt, por vetëm si anti-komunist nga gjykatësi xhelat Bilbil Klosi. Martirët e Qafë Valmirit u detyruan ta hapin vetë varrin, gropën e përbashkët. Dhjetë prej tyre u pushkatuan, kurse katër prej tyre u varën në litar përpara qindra mirditorëve të grumbulluar me detyrim, për të qenë të pranishëm në aktin e masakrës, me qëllimin ogurzi për t’i terrorizuar ata dhe mbarë Mirditën.

Masakra e Qafë Valmirit është një nga aktet terroriste më të shëmtuara të krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit komunist të regjimit të Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pas Luftës së Dyte Botërore, është një nga hakmarrjet më të verbra dhe më primitive, që kishte për qëllim shtypjen e rezistencës së pamposhtur anti-komuniste të Mirditës. Duke u përulur me nderimin më të thellë para kujtimit të ndritur të martirëve mirditorë të Qafë Valmirit, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm nga akt-hakmarrja e egër, dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë krim makabër të kryexhelatëve të popullit shqiptar, Hoxha-Shehu, por edhe heshtjen që mbajnë ndaj këtyre krimeve të tmerrshme sot, Edi Rama dhe pasardhësit e tjerë të tyre në pushtet”, ka shkruar Berisha.